I nderuar Kryeministër Rama,
Diaspora shqiptare në Itali numëron më shumë se 600 mijë vetë dhe është komuniteti më i madh i emigrantëve, pas atij rumun.
Brezi ynë është ai që realizoi ëndrrën e lirisë pas 50 vitesh diktaturë dhe që filloi transformimin strukturor të vendit, duke e shoqëruar atë drejt demokracisë. I njëjti brez që gjeti shumë dyer mbyllur, por mundi të rezistojë dhe të ndërtojë një të ardhme.
Anija e Vlorës dhe tragjedia e Kanalit të Otrantos janë dy anët e së njëjtës medalje, janë dy eksode të paharrueshme, mes mirëpritjes e herë-herë refuzimit dhe së fundi integrimit në Itali. Ajo aventurë ishte një udhëtim shprese që ne e mbajmë në kujtesën tonë, së bashku me ëndrrat dhe historitë që akoma kemi për të treguar.
Jeta e komunitetit tonë në Itali ka qenë dhe është ndërtuar nga puna e palodhur duke u integruar në strukturën sociale dhe duke punuar në të gjithë sektorët (shërbime, ndërtim dhe dhe profesione te ndryshme ) duke kapërcyer paragjykimet dhe stereotipet për origjinën tonë.
Integrimi i shqiptarëve në Itali shihet edhe nga shume angazhime të ndyshme politike e kulturore. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Itali morën pjesë mbi 700 kandidatë, si provë që ne jemi gati të kontribuojmë në vendin që na priti ashtu sikurse në vendin e origjinës.
Për këtë arsye i nderuar Kryeministër, kërkojmë vëmendjen Tuaj për pikat e mëposhtme:
- Garantimi i të drejtës së votës së diasporës – e drejtë kushtetuese dhe premtim elektoral i papërmbushur
Diaspora e Greqisë dhe Italisë së bashku janë në numër sa votuesit e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri, ku moren pjesë vetëm 46% nga votuesit e regjistruar në proçesin elektoral, duke shfaqur pjesërisht brishtësinë e demokracisë sonë.
Kandidatët shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Itali shfaqën dëshirën për të kontribuar në jetën sociale, ekonomike dhe politike të vendit pritës.
Këtë ekperiencë ne deshirojmë t’a vëmë në dispozicion të vendit tonë dhe kërkojmë të na lejohet të kontribuojmë aktivisht në realizimin e reformave në ekonomi, arsim, shëndetësi, siguri, drejtësi dhe kulturë për të ndërtuar një Shqipëri të gjelbër, garantuese për të mirën publike, duke mbrojtur natyrën me sistemin e zonave të mbrojtura. Për realizimin e ketij vizioni mbetet prioritare një luftë të qartë dhe efektive kundër korrupsionit.
- Krijimi i Institutit të Kulturës Shqiptare në Itali
Falë punës së vullnetarëve, shkollat e gjuhës shqipe janë hapur në të gjithë Italinë për të garantuar një lidhje të ngushtë mes brezave të rinj me rrënjët e tyre historike dhe kulturore.
Vetë karakteri i punës me bazë vullnetare e bën të vështirë realizimin e një koordinimi unitar. Ndihma që marrim nga Qendra Botuese e diasporës nuk është e mjaftueshme. Përvoja e Ministrisë për Diasporën përfundoi pa rezultate dhe instrumentet aktuale të vendosura nga qeveria nuk janë të mjaftueshme në misionin madhor të ruajtjes dhe kultivimit të identititet kombëtar jashtë kufijve të atdheut. Për këtë arsye kërkojmë formalisht ngritjen e Institutit të Kulturës, edhe ky premtim i kahershëm akoma i parealizuar.
- Angazhimi për të krijuar bazat që qytetarët shqiptarë të mos braktisin Shqipërinë
Në Shqipëri nuk mungon puna por të drejtat në punë. Ka mungesë kontrolli për verifikimin e zbatimin e legjislacionit dhe Kodit të punës, një domosdoshmëri kjo për të ulur numrin e të rinjve dhe familjeve që braktisin vendin.
Fenomeni migrator nga vitet ’90 e deri ne ditët e sotme ka sjelle si pasojë shpopullimin progresiv të vendit dhe rritjen e moshës mesatare të popullsise, faktor që nuk mund të injorohet nëqoftëse duam të garantojmë një sistem pensionesh jetëgjatë. Sistemi shqiptar i pensioneve është në rrezik. Janë rreth 600 mijë punëtorë pa kontribute.
Zoti Kryeministër, Ju jeni sot në Itali për të na kujtuar marrëveshjen e fundit me qeverinë Meloni për pensionet e punëtorëve shqiptarë në Itali. Është padyshim rezultat i punës së Qeverisë suaj që ne e falënderojmë, por është edhe rezultat i përpjekjeve të shoqatave dhe vullnetarëve shqiptarë në Itali. Një rezultat që shpresojmë të sensibilizojë bashkëatdhetaët tanë që jetojnë në Shqipëri me pensione ndër më të ulëtat në Europë.
Zoti Kryeministër, migrimet janë një sfidë epokale e dekadave të vijim, ku percakohet konsensusi dhe fati i partive politike në çdo vend të botës.
Në këtë kontekst çështja e “qendrës për emigrantët në pritje të identifikimit” që po ndërtohet në Shqipëri për Italinë na shqetëson shumë.
Kujtojmë se emigrantët që mbërrijnë sot në brigjet italiane kanë të njëjtat ëndrra dhe shpresa si dhe ne tridhjetë vjet më parë. Ne jemi në anën e tyre sepse të njëjtin fat e kemi përjetuar edhe vetë, dhe për këtë arsye kërkojmë që kjo tematikë të trajtohet me respekt e dinjitet.
Me këtë logjikë edhe emigrantët tanë në Mbreterinë e Bashkuar rrezikojnë të shkojnë në Ruandë. Nuk do të donim që Shqipëria të bëhej Ruanda e Europës!
Zoti Kryeministër, në Shqipërinë komuniste trenat udhëtonin me 50 km në orë dhe nuk arrinin kurrë në kohë. Sot në Shqipëri nuk udhëton asnjë tren, dhe koncesionet për linjat e reja hekurudhore parashikojnë shpejtësi të larta mbi 300 km në orë.
Të gjithë ne shpresojmë që politikat kombëtare ta bëjnë vendin të përparojë duke e vendosur atë në nivelin e vendeve më të zhvilluara, një shpresë që na bën të sigurt, por edhe të shqetësuar sepse identifikojmë shumë kontradikta.
Për këtë, i nderuar Kryeministër, ju kërkojmë që zëri dhe eksperienca jonë të arrijnë në insitucionet shqiptare, duke vlerësuar sakrificat dhe përvojën tonë.
Rroftë Shqipëria!
Kryetar i shoqatës Besa-Aps
Edmond Godo
Shenim per shtyp:
BESA-Aps, Shoqata e Komunitetit Shqiptar në Itali është një shoqatë me promovim social e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Shoqatave të Sektorit të Tretë (Runts). Themeluar në shkurt të vitit 2002 në ambientet e Universitetit “La Sapienza” të Romës. Qëllimi i shoqatës është promovimi i shkollës së gjuhës dhe kulturës shqipe, si dhe njohja e miqve italianë me traditat, kulturën, historinë, letërsinë, kinemanë dhe artin e Shqipërisë.
Të dielën e 26 maj 2024 all’e-work Arena të Busto Arsizio mbahet vizita e parë zyrtare të Kryeministrit për të takuar diasporën shqiptare ne Itali. Me kete rast percjellim prioritetet qeverisë sonë duke kërkuar vëmendje sipas pikave të mëposhtme:
-Të kemi rol aktiv në reformat ekonomike, shkollore, shëndetësore, drejtësie, sociale dhe kulturore të vendit.
-Te ngrihet Instituti i Kulturës Shqiptar në Itali
-Angazhimi qeverisi për të siguruar që njerëzit të mbeten në Shqipëri dhe që familjet tona të mbeten të bashkuara.
- Çështja e “qendrave të pritjes” për emigrantët në pritje të identifikimit që Shqipëria po ndërton për Italinë na shqetëson shumë. Kujtojmë se emigrantët që mbërrijnë sot në brigjet italiane kanë të njëjtat ëndrra dhe shpresa si ata shqiptarë që mbërritën në Itali tridhjetë e tre vjet më parë.
Kryetari i shoqatës Besa-Aps
Edmond Godo