Home Gjeo-Ekonomia Qeveria e re serbe me dy zëvendëskryeministra rusë

Qeveria e re serbe me dy zëvendëskryeministra rusë

Shaban Murati

Shënime nga blloku diplomatik

Nuk ka informacion nëse është ngutur ndonjë qeveri ballkanike t’i dërgojnë urime kryeministrit të ri serb Vuçeviç, qeveria e të cilit u miratua në 2 maj 2024 nga parlamenti i ri serb. Në fakt një gjest i tillë i nxituar diplomatik do të vlerësohej dhe përshëndetej shumë në Kremlin, sepse qeveria re serbe e Vuçeviçit ka dy zëvendëskryeministra rusë, Aleksandër Vulin dhe Ivica Daçiç. Ka një konsensus diplomatik ndërkombëtar se të dy zëvendëskryeministrat e mësipërm janë mercenarë nga më të besuarit rusë të Kremlinit në Serbi.

Zëvendëskryeministri Vulin është dekoruar tri herë nga Kremlini me dekoratat më të larta shtetërore për shërbime të posaçme ndaj mëmës Rusi. Atë e kanë dekoruar personalisht me dekorata të veçanta presidenti i Rusisë Putin, drejtori i Shërbimit Sekret Rus, FSB, dhe ministri rus i mbrojtjes. Nuk ka një shtetas rus, që t’i ketë marrë këto tre dekorata të larta në karrierën e tij zyrtare. Zëvendëskryeministri Daçiç është dekoruar me urdhërin më të lartë rus personalisht nga presidenti i Rusisë Putin për shërbime të posaçme ndaj Rusisë. Dekoratën më të lartë shtetërore ruse ka marrë nga preidenti rus Putin edhe ministri i qeverisë së re serbe Nenad Popoviç.

Kemi pra një qeveri të re serbo-ruse në Beograd, që sipas rrenave diplomatike të presidentit Vuçiç, e ka prioriritet integrimin europian të Serbisë në BE, megjithëse realisht e ka integuar Serbinë me Rusinë dhe me Kinën dhe madje po kërkon publikisht të fusë Serbinë në BRIKS, aleanca e krijuar sëbashku  nga Rusia dhe Kina. Nuk është rastësi që kryemercenari rus në Serbi, presidenti Vuçiç, e caktoi qeverinë e re me dy zëvendëskryeministra rusë.

Presidenti serb Vuçiç është dekoruar në vitin  2019 nga presidenti rus Vladimir Putin me urdhërin e lartë “Aleksandër Nevski”, të cilin e kanë marrë vetëm pesë presidentë të pesë shteteve satelite të Moskës, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Për shërbimet e posaçme ndaj Rusisë Kremlini e ka vlerësuar lart pesidentin Vuçiç, njësoj sikur Serbia të jetë si pesë shtetet e tjera anëtare e organizatës ruse të “Unionit të Shteteve të Pavarura” të krijuar nga Kremlini me shtetet ish-republika sovjetike.

Presidenti Vuçiç po ia kalon çdo ditë miun serb nën mustaqet e diplomacisë perëndimore dhe e pa se ajo nuk po don të zgjohet nga gjumi i iluzioneve ndaj udhëheqjes aktuale të Serbisë. Ndaj Vuçiç jo vetëm vuri tre rusë të rëndësishëm për Kremlinin në qeverinë e re serbe, por ia përplasi në fytyrë sfidën Perëndimit, duke caktuar qëllimisht si anëtarë kabineti Aleksandër Vulin dhe Nenad Popoviç, të cilët janë sanksionuar non grata nga SHBA pikërisht për shkak të shërbimeve të tyre për Rusinë në Ballkan. Ironia është se presidenti  Vuçiç në muajin nëntor të vitit të kaluar e hoqi Vulinin nga posti i shefit të shërbimit sekret serb dhe në gjitha korridoret diplomatike perëndimore e trumbetoi dhe e shiti sikur po plotësonte një dëshirë të amerikanëve, të cilët nuk e donin Vulinin, që i shërbente interesave ruse në Serbi dhe në Ballkan. Pa mbushur gjashtë muaj nga e ashtuquajtura heqje e tij Vuçiç e emëron Vulinin tani në postin e lartë të zëvendëskryeministrit të qeverisë së re serbe.

Në vazhdën e talljes së tij shumëvjeçare diplomatike me Perëndimin Vuçiç i thotë SHBA dhe BE se ai po i vë mercenarët ruse në qeveri “për ta larguar Serbinë nga Rusia”. Një përrallë kjo, që kanë qejf ta dëgjojnë diplomatët e sklerozuar perëndimorë në Beograd.

Vuçiç luan melodinë naive europiane se Serbia ka prioritet integrimin europian. Presidenti serb, që caktoi dhe drejton qeverinë e re serbe me tre ministra të rëndësishëm rusë, ka të drejtën e plotë të tallet me BE dhe me diplomacinë perëndimore, që rrejnë vetveten dhe publikun e tyre me çfaqjen prestigjiative që “Serbia po ikën nga Rusia”. Natyrisht diplomacia perëndimore, njësoj si në përrallën e mbretit lakuriq të Andersenit, ka të drejtën të besojë se qeveria e re serbë me dy zëvendëskryeministra dhe një ministër rusë dhe me në president ultra filorus, do largohet më shpejt nga Rusia, sepse kështu duan të gënjejnë veten disa diplomatë europianë të BE ose të departamentit amerikan të shtetit. Sepse nuk mund të besojnë veshët idiotizma diplomatike të tilla kur një diplomat i lartë perëndimor deklaron edhe pas atentatit terrorist shtetëror të Serbisë në Banjskë të Kosovës se Serbia e don Amerikën më shumë se sa e don Kosova.

A është kjo miopi i diplomacisë perëndimore? Jo, është alibia e ndërgjegjëshme, që i jepet Rusisë për ta pasur nën influencën e saj Serbinë, “botën serbe” dhe “Ballkanin e hapur”. Mos harroni! Disa pazare të mëdha të diplomacisë së fshehtë të fuqive të mëdha bëhen edhe pa spektakle të vjetër gjeopolitikë si ai i Jaltës/Dita

Share: