Nga Visar Zhiti
Nuk mund të rrija pa shkruar, pa sjellë dhe poezinë…
Vepra monumentale, e madhe, me simbolikë universale: “Çelësi shqiptar” – i artistit Alfred Mirashi Milot, sapo u përurua në hyrje të qytetit të Shkodrës.
Lajm i bukur… Pritej…
Ai “Çelës”, ashtu dhe ndryshe, gjithmonë vepër arti, i hijshëm dhe intrigues, është vënë dhe në vende të tjera, në qytete të Italisë, ku jeton dhe punon artisti shqiptar, iku që fëmijë atje me dyndjet e mëdha për një jetë më të mirë, mbi të gjitha për një ëndërr dhe ia doli, mbaroi Akademinë Brera të Milanos, ku ishte lauruar dhe piktori i famshëm, Maestro Ibrahim Kodra, i ikur që në kohën e mbretërisë apo ku jeton dhe artisti tjetër me njohje botërore Adrian Paci, pak më tej, buzë një liqeni magjepsës është dhe piktori po ashtu i njohur Gjergj Kola. Ka dhe të tjerë… Miqësia me ta është një tjetër vepër arti.
Njohën artin e madh botëror, u bënë pjesë e tij dhe po ia japin dhe AtDheut…
Dhe ja, erdhi “Çelësi” i Alfred Mirashit, që i ka shtuar emrit të tij dhe vendlindjen-Milot, tashmë i bërë i njohur si emri i tij artistik deri edhe në Kinë, ku ai jep dhe leksione arti.
Të shumta janë çmimet dhe vlerësimet që ka marrë nga bota. Ai na dha një “Çelës” universal, me porosinë e artit që të hapim dyer dhe zemra dhe horizonte, ndërkohe dhe na thotë: mjaft me çelësa, jo më mbyllje dhe sikur i shtrembëron ata. Kështu janë vendosur në disa qytete të huaja. Dhe bëhet një punë e madhe, ngrihet një kantier, vijnë vinça, sikur po ndërtohet një uzinë, janë çelsa të mëdhenj, rëndojnë, me tonelata…
Çelësi shqiptar i Shkodrës ka dhe një hark të madh si urat, me atë arkitekturën tradizionale tonën, por dhe si hark triumfi i munguar.
…kam qenë në ekspozita të Alfred Mirashi Milotit dhe në Itali apo në ceremoni çmimesh e takimesh arti me atë, madje kisha shkruar dhe një poezi për “Çelësat” e tij, që është futur në albume dhe së fundmi në librin tim me poezi, i sapo botuar në Itali, dy gjuhësh, shqip dhe italisht.
Po e sjell këtu dhe nga dëshira e bukur e përurimit të Çelësit Shqiptar në Shkodrën e dashur.
VISAR ZHITI
ÇELËSAT
- fjalë për piktorin
Alfred MIrashi MILOT –
Çelësat s’e di a vuajnë,
por na bëjnë
të vuajmë…
Na mbrojnë dhe na mbyllin,
ah, na ndajnë.
Gjithë ato dyer, kur dashuria
s’ka derë,
sipas meje është hapësirë
e pafundme.
Edhe lirinë s’mund ta ndash
nëpër qelira dhe t’i japësh Djallit
çelësat e burgut.
Një tufë me çelësa të së mirës,
që janë bërë nga e keqja jonë
dhe çelësat e së keqes
që e kyçin të mirën…
Por era që s’ka fare çelësa-
do të më thoshte im bir,
as dallgët, as kurioziteti, as qeni,
as kali, as dëshirat,
as mali… as dhëmbjet njerëzore, –
do të thosha unë, as…
mbase të gjitha këto janë vetë çelësa
për zbulimin e vetes
dhe të botës.
Po kur u shpik çelësi,
para apo pasi kryqëzuan Krishtin?
Një miku im piktor mban penelin
si një çelës arti
dhe hakmerret ndaj të gjithë çelsave
që na bëjnë të vuajmë,
që na mbyllin dhe na ndajnë…
i shtrembëron në vizatimet e tij,
për të kuptuar
se duhet drejtësi më shumë,
i bën të shëmtuar si monstra,
që të mos i duam…
të kemi frikë, ngjajnë me prangat,
me gozhdët e kryqit…
çelës do të thotë të mos besosh
në njerëz…
çelësi nuk di të qajë…
Ne lindim pa çelësa në duar,
por me 10 gishta,
aq sa janë dhe 10 porositë Qiellore.
Hija e Njeriut ka formën e një çelësi
të madh
që të guxojë të kyçë portat
e errësirës,
kurse agimi s’ka çelësa fare, rrjedh
si kataraktet e së ardhmes.
Le të jenë çelës ngjyra dhe fjala! – mërmëris unë.
Çelës le të jenë loti dhe gëzimet! Dashuria
është i vetmi çelës prej drite. Amen!
VISAR ZHITI
LE CHIAVI
- A pittore Alfred Mirashi MILOT –
Non so se le chiavi soffrano,
ma ci fanno soffrire…
Ci proteggono e ci rinchiudono, ah,
ci separano.
Tutte quelle porte, eppure l’amore non ha porte,
che per me è uno spazio infinito.
Anche la libertà non puoi segregarla
tra le celle
e dare al Diavolo le chiavi del carcere.
Un mazzo di chiavi del bene,
costruite dal nostro male
e le chiavi del male
che sprangano il bene…
Ma il vento che non ha chiavi, –
mi direbbe mio figlio,
nemmeno le onde, la curiosità,
il cane, il cavallo, i desideri,
né la montagna… né le sofferenze
umane, – direi, né…
forse queste sono solo chiavi
per scoprire
te stesso e il mondo.
Ma quando si inventó la chiave,
prima o dopo la crocifissione
di Cristo?
Un mio amico pittore stringe
il pennello come chiave dell’arte
e si vendica di tutte le chiavi
che ci fanno soffrire,
che ci rinchiudono e ci separano…
le deforma nei suoi disegni
per capire
che ci vuole più giustizia,
le stravolge come mostri,
per detestarle…
per impaurirci, somigliano ai ferri,
ai chiodi della croce…
chiave vuol dire non fidarti dell’uomo…
la chiave non sa piangere…
Noi nasciamo senza chiavi in mano, ma con 10 diti,
tanti quanto sono
i 10 Comandamenti.
L’ombra dell’Uomo ha la forma
di una grande chiave
per osare di chiudere
le porte delle tenebre, mentre l’alba
non ha chiavi, scorre come le cascate
del futuro.
Che siano chiavi il colore e la parola! – sussurro.
Chiavi siano le lacrime e le gioie! L’amore
è l’unica chiave di luce. Amen!
Traduzione di Elio Miracco