Home KRYESORE Deputetët e PD kërkojnë ta shkarkojnë nga drejtimi i Medias, Açka: Dikush...

Deputetët e PD kërkojnë ta shkarkojnë nga drejtimi i Medias, Açka: Dikush po vuan të më zëvendësojë, mjerim i madh ku është katandisur opozita

Sali Berisha pasi mori vulën dhe logon zyrtare të Partisë Demokratike nxitoi të afrojë rreth vetes deputetët që ndiqnin nga pas Lulzim Bashën.

Gazetarja e Top Channel Elda Menga raporton se ftesat e njëpasnjëshme për bashkim u shoqëruan edhe me një rezolutë që pritet të marrë miratimin e Këshillit Kombëtar në fundjavë.

Por, thirrjet e Berishës për të hedhur pas krahëve zemërimin dhe për të mos parë njeri me hatërmbejtje apo skepticizëm, duket se nuk janë pritur mirë nga grupi parlamentar, pasi një pjesë e tyre duket se nuk i fal deputetëve të Lulzim Bashës qëndrimet që ata vijojnë të mbajnë në Kuvend duke kërkuar shkarkimin e tyre nga pozicionet drejtuese.

Me një kërkesë të tillë kryetari i grupit demokrat Gazment Bardhi u përball në mesditë ku deputetët i kërkuan të largojë nga drejtimi i Komisionit të Medias Flutura Açkën. Elda Hoti, Sorina Koti, dhe Luan Baci, nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre për mënyrën sesi deputetja Açka drejton Komisionin e Medias duke mos reflektuar qëndrimet e grupit demokrat në këtë pozicion dhe duke dalë shpesh herë dhe kundër linjës opozitare.

Si shembull më të fundit demokratët sollën seancën dëgjimore me drejtorin e RTSH Alfred Peza, ku zonja Açka ia kishte lënë në dorë drejtimin e seancës koleges së saj, Evis Kushi njëherësh nënkryetare e Komisionit e cila e orientoi mbledhjen në disfavor të opozitarëve.

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi ka mirëkuptuar  shqetësimin e kolegeve, por sipas tij me një propozim të tillë përcillet mesazhi i gabuar në këtë fazë ku ndodhet PD.

Kryetares së komisionit të Medias Flutura Açka, Top Channel  i kërkoi një reagim për kërkesën e kolegeve te saj.

Deputetja demokrate i vlerësoi qëndrimet si mjerane dhe përpjekje për ta zëvendësuar nga ata deputetë që i shkojnë nga pas kryetarit vetëm për një vend në listën e deputeteve. Açka sqaron në reagimin e saj se ajo nuk e ka ndërmend të largohet nga drejtimi i Komisionit ndërsa vlerëson si të pasinqertë ftesat për bashkim të atyre që kanë në dorë vulën dhe logon e partisë demokratike.

“Nuk është kërkesë e disa, por e ndonjë kolegu të Komisionit  që po vuan shumë prej kohësh të me zëvendësojë, që më sulmon vazhdimisht. Unë nuk shqetësohem nga presione të tilla minore e të turpshme.

Shqiptarët e kane parë vetë tonin tim të paepur opozitar që nuk mund ta vënë në dyshim ca “fuga” politike që lëpijnë çdo kryetar që ndërron për të qenë në listë. Kjo nuk është brenga ime. Unë do të veproj institucionalisht siç besoj duhet të bëjë çdokush. Nuk ka bërë asnjëri prej kinse kërkuesve më shumë opozitë se unë. Nuk merrem me ta dhe më vjen keq që flasim për bashkim dhe në fakt veç bashkim nuk duan. Është mjerim i madh ku është katandisur opozita. Nuk di a kanë përgjegjësi para shqiptarëve që të mos hapin asnjë birë të re në shoshën e opozitës. Unë do të iki kur ta ndiej unë, e jo kur iu teket pseudove në opozitë”, reagoi Açka për Top Channel.

Në mbrojtje deputetes demokrate i doli edhe Kreshnik Çollaku i cili ka vendosur të bashkohet me deputetët që njohin Sali Berishqn si kryetar të PD.

“Flutura Açka i bën nder Opozitës dhe Partisë Demokratike. Një kolege si Flutura Açka është krenari e privilegj ta kesh në krah. Çdo insinuatë ndaj Flutura Açkës është provokim mediokër e sektar. Modeli i opozitarit me dinjitet, integritet dhe plot qytetari si Flutura Açka është kaq i rrallë këto kohë, dhe po aq i vyer për t’u ruajtur”, shprehet  Çollaku.

Top Channel

Share: