Ekspozita me piktura “DIKOTOMI” sjell për publikun një përmbledhje të punëve gjatë viteve 2019-2024 të artistit Ilir Butka. Ekspozita në galerinë FAB të Universitetit të Arteve për artistin Ilir Butka është dhe një moment i rëndësishëm në karrierën e tij. Ekspozita personale e Ilir Butkës vjen e kuruar nga miku i tij Petraq Papa. Në “DIKOTOMI” artisti Ilir Butka vjen i bazuar mbi pikturën abstrakte.
Por ai thotë se është një përmbledhje e punës intensive gjatë viteve të fundit. “Këtë ekspozitë e konsideroj si një moment të rëndësishëm për mua, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit”, shprehet artisti. Pas një periudhe kohore, në të cilën artisti Ilir Butka ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kolektive brenda dhe jashtë Shqipërisë, ai shprehet se për herë të parë hap një ekspozitë personale. “I jam rikthyer impenjimit aktiv me pikturën pas një shkëputje shumëvjeçare dhe në këtë rikthim unë propozoj një këndvështrim komplet të ri për mua, totalisht i bazuar mbi abstrakten.
I isha larguar pasionit dhe profesionit të hershëm pikturës me mendimin se një ditë do të kthehesha, me sigurinë që piktura do të ishte gjithmonë aty duke më pritur me besnikëri dhe tolerancë për “tradhtinë” e pësuar. Artet në përgjithësi dhe piktura në veçanti janë të bazuara mbi simbiozën e kreativitetit dhe mjeshtërisë. Ndërsa kreativiteti është i vazhdueshëm dhe “rrjedh” edhe kur artisti nuk punon, mjeshtëria përthahet dhe varfërohet nga mungesa e ushtrimit të profesionit”, shprehet Butka, që shton se pas rikthimit u përball pikërisht me këtë vështirësi të cilën e tejkaloi falë një pune të gjatë për të rifituar aftësinë që e kishte humbur ndërkohë.
Artisti Ilir Butka që mbrëmë hapi dhe ekspozitën e tij personale, thotë në tekstin e tij se nëse krijimtaria e tij ndahet në dy pjesë, ai mund të konstatojë një diference të madhe mes tyre. Figurativ në periudhën e tij të parë dhe papritur shprehet ai gjendet abstrakt në periudhën e dytë. “Piktura abstrakte është si muzika xhaz ku artisti improvizon mrekullisht pa partiturë duke i nxjerrë veglës tingujt më virtuozë të mundshëm që në kushte të tjera do ta kishte të pamundur t’i krijonte. Ky kombinim ndodh vetëm njëherë dhe është i papërsëritshëm, dhe çdo herë që luhet arrihet një kombinim i ri po kurrsesi i njëjti”, shprehet Butka.
Angazhimi i artistit
Titulli i kësaj ekspozite është “DIKOTOMI” (Dichotomy, a division or contrast between two things that are or are represented as being opposed or entirely different), por për artistin Ilir Butka ky titull korrespondon simbolikisht në shumë aspekte me dualizmin që e rrethon atë si individ, por edhe vetë pikturën e tij.
“Për shembull, në ndarjen e figuratives që unë kam përqafuar dikur si formë të shprehjes artistike dhe abstraktes aktuale që po trajtoj në këtë fazë të re të krijimtarisë time. Gjithashtu angazhimi im profesional ka marrë formën e një dikotomie të vërtetë pasi është ndarë prej vitesh tashmë midis filmit, pikturës, fotografisë dhe mësimdhënies. Edhe forma e ekspozimit të pikturave është e tillë, ku dy ose më shumë telajo apo piktura do të jenë të ekspozuara në një kornizë të përbashkët si një punë e vetme e përbërë nga dy ose më shumë krijime të ndryshme, që shpesh kontrastojnë ose kompensojnë njëra- tjetrën”, shprehet Butka në tekstin e tij mbi ekspozitën.
Ekspozita që artisti e konsideron si një moment të rëndësishëm për të, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit, që ai donte ta ndante me kolegët artistë, pedagogët, studentët e Universitetit të Arteve dhe dashamirët e artit do të qëndrojë deri më datë 8 qershor në galerinë FAB./sot.com.al