TIRANË në teatrin e Universitetit të Arteve të Bukura në Tiranë, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve (QSPA), organizoi koncertin recital të kantautorit të mirënjohur arbëresh Santino de Bartolo.
Aktiviteti u çel me interpretimin e aktorit të mirënjohur të skenës shqiptare Xhevat Limani, me vargjet e poezisë “Kujtesa e Atdheut” të Dritëro Agollit.
Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati, në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti në këtë ditë, si inciativë e rëndësishme e qendrës dhe kantautorit arbëresh.
Më tej fjalën e mori studiuesja e QSPA-së, dr. Jolanda Lila e cila vuri në dukje të përbashkëtat mes shkrimtarëve Vorea Ujko dhe Dritëro Agolli, që janë në bazë të teksteve të këngëtarit Santino de Bartolo, koncerti i të cilit vjen si homazh për këto dy figura të rëndësishme.
Koncerti vijoi me bashkëinterpretimin e arbëreshit Santino de Bartolo dhe këngëtares Liljana Kondakçiu me këngët “Motra ime nuse” dhe “Himn për ty”. Koncerti vijoi me fragmente poetike nga aktori i mirënjohur Laert Vasili, aktorja Klodi Kadillari, aktorja dhe regjisorja, Meri Dishnica etj.
Recitali vijoi nën interpretimin e këngëve “Cuore d’oro”, “Amara Terra Mia”, “Vaita ket minutilli” “Kur na arbëreshë” etj. Në përmbyllje, recitalit iu bashkua me një interpretim edhe presidenti i grupit folklorik “Arbëria”, arbëreshi Carlo Pellicano.
Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për promovimin e gjuhës dhe kulturës arbëreshe si dhe falenderoi përpjekjet e stafit të qendrës në realizimin e këtij aktiviteti.Koncert arberesh. Fotot nga Agim Dobi1 nga 3
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./ATSH