Nga Shaban Murati
Botuar në DITA
Shqipëria është i vetmi shtet në botë, që ka realizuar devizën e madhe të Mao Ce Dunit, babait të radikalizmit ekstrem të komunizmit aziatik, “fshati të rrethojë qytetin”.
Në Shqipëri fshati jo vetëm e rrethoi, por edhe e pushtoi dhe pothuajse e asimiloi qytetin. Ky fenomen është një nga çuditë shqiptare të historisë së shtetit shqiptar, fenomen i cili kulmet i arriti me regjimin komunist dhe me regjimin demokratik në të dy qeveritë, PD dhe PS, ku kemi zbarkimet e panatyrëshme të tipit “re karkalecësh” të babëzisë asimiluese të fshatit ndaj qytetit.
Shteti dhe qeveritë me ndergjegje dhe me qëllime bizantine i hapën rrugën e hapësirës dhe të veprimit të pakufizuar për një nga veset më të shëmtuara historike kombëtare siç është vjedhja dhe pre e kësaj furie të organizuar ranë tokat dhe pronat shtetërore dhe objektet shtetërore dhe madje pronat private në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe sidomos në Tiranë dhe në Durrës.
Nuk ka ndodhur ky fenomen negativ dhe destruktiv në asnjë prej ish-shteteve komuniste dhe në asnjë shtet ballkanik. Shqipëria përbën kështu një shembull unik të zbatimit të doktrinës maoiste kineze, gjë që do ta pengojë me qindra vjet të arrijë nivelin e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor dhe të mentalitetit europian.
Ndryshe nga historia e shteteve në Europën e vjetër demokratike dhe të përparuar, ku qyteti asimiloi fshatin dhe arriti shkallën më të lartë të zhvillimit shoqëror, në Shqipëri fshati asimiloi qytetin dhe Shqipëria mbeti oazi më i prapambetur i kontinentit.
E keqja nuk është vetëm pse shteti u katandis kështu, por sepse ende nuk dëshirohet të kuptohet se ku dhe pse jemi kandisur në këtë derexhe. Qeveritë antishqiptare të të dy llojeve të qeverive PD dhe PS e maskuan dhe e justifikuan këtë asimilim të kobshëm rural të qytetit me përrallat e lëvizjes demokratike dhe lirisë së lëvizjes së popullsisë.
Disa e banalizuan sikur ky fenomen i shëmtuar u organizua vetëm për vota nga PD dhe nga PS, kryeministrat e të cilave pa pikën e ligjëshmërisë dhe të turpit shpërndanin me dorën e tyre të ashtuquajturat tapi pronësie, me të cilat qeveritë legalizonin me ceremoni dhe me daulle zyrtare vjedhjen e pronave shtetërore, private dhe shoqërore nga zbarkimet masive. Padyshim kjo ishte një strategji e rrafinuar dhe e thellë antishqiptare, që rrënoi dhe rrënon demokracinë, shtetin dhe kombin, dhe që sjell vërdallë Shqipërinë gjatë 32 viteve të të ashtuquajturit tranzicion demokratik.
Dhe askush nuk i bën vetes pyetjen ekzistenciale: Pse ky fenomen i shëmtuar nuk ndodhi dhe nuk u zbatua nga asnjë qeveri në asnjë shtet ish-komunist të Ballkanit dhe të Europës Lindore.
Përse këtë formë errozioni masiv të shoqërisë shqiptare e shpikën vetëm udhëheqësit e Shqipërisë?
Realisht për Shqipërinë Mao Ce Duni është profeti i vetëm i rrugëtimit shtetëror dhe shoqëror./Copyright Gazeta DITA