Home KRYESORE S’ka gjë, se po të gatuaj qingj!

S’ka gjë, se po të gatuaj qingj!

Nga Dritan Shano

Nuk dua të ha vetëm mish! Shpresoj që 3 vjeçarët e sotëm të Shqipërisë të mos jenë të detyruar të hanë mish me zorr!

Në filmin “Dasma ime e madhe greke” ka një moment kur hallë Vula bërtet fort e skandalizuar me dhëndrin e ri vegjetarian: “Çfarë po thua që ky nuk ha mish?” Të gjithë dasmorët nga fisi i gruas, u tromaksën nga ky informacion. Në festë pllakosi një heshtje e veshur me ankth.

Po e përdor këtë moment heshtje në zallamahinë e festës ekonomike që po dëgjohet sidomos këto 2-3 vitet e fundit në vendin tim të bekuar për të bërë një reflektim:

“Struktura e ekonomisë dhe niveli i zhvillimit të secilit prej sektorëve që e përbëjnë atë (bujqësi, industri, shërbime) ndikon drejtpërdrejt në aftësitë dhe kompetencat që na duhen për të qenë një vend i suksesshëm dhe konkurrues në dekadat që vijnë.

Prandaj, edhe pse sot nuk jam “trendy” apo se këmbët e mia nuk lëvizin në përputhje me muzikën e narrativës mbizotëruese në Shqipëri, them se duhet që të kemi guximin dhe vendosmërinë të ndryshojmë qasje ndaj ekonomisë së të ardhmes në këtë vend.

Ne, shqiptarëve, në vitin 2024 të shekullit 21 a.d. na duhet të mbështesim me politika aktive ata sektorë të ekonomisë, ato industri që nuk krijojnë vende pune në nivel kamarieri, por që krijojnë vende pune në nivel inxhinieri!

Kjo duhet të reflektohet në të gjithë zinixhirin e edukimit që nga parashkollori e deri ne universitet, përfshi edhe të mësuarit gjatë gjithë jetës!”

Por njerëzit e fisit të gruas që kishin heshtur në hall dhe në ankth kur morrën vesh që dhëndri nuk hante mish, i nxorri nga kjo situatë ku ata mund të ishin të detyruar të hiqnin dorë nga zakonet e vjetra ku duhet të haje mish se s’bën, po ajo që i futi, hallë Vula duke dhënë zgjidhjen:

S’ka gjë, se po të gatuaj qingj!

Share: