Home KRYESORE Unë jam ti” – Merita Kuçi (Thartori)

Unë jam ti” – Merita Kuçi (Thartori)

Nga Gladiola Jorbus

Libri me poezi “Unë jam Ti” është një vepër intime dhe e ndjeshme, e shkruar nga një poete që eksploron thellë shpirtin femëror. Nëpërmjet vargjeve delikate dhe të mençura, autorja Merita Kuçi ofron një vizion personal dhe autentik të emocioneve, dëshirave e përvojave feminile.

Poezia, si një fije delikate që lidh zemrat, ka fuqinë të shprehë emocione që shpesh i shmangen gjuhës së zakonshme. Brenda kësaj sfere të vargjeve, poetesha dhe profesoresha e ndjeshme ka thurur shpirtin e saj në fjalë, duke krijuar një vepër arti të forcës dhe bukurisë.

Gruaja e ndjeshme e percepton botën përmes shqisave të akorduara mirë. Zemra e saj rezonon me pëshpëritjet më të holla të ekzistencës – shushurimën e zjarrit, luleborën e krijuar prej saj, aromën e vjeshtës, lirisë, detit, dhembjen e mallit të pashprehur. Ndjeshmëria e saj nuk është një dobësi, por një dhuratë hyjnore – një instrument përmes të cilit ajo kanalizon të vërtetat e saj më të thella.

Merita trajton konceptin e identitetit dhe lidhjen ndërmjet individëve. Vetë titulli, “Unë jam Ti” sugjeron një lidhje të thellë dhe universale midis njerëzve. Poezitë i drejtohen dashurisë dhe initimitetit në të gjitha nuancat e tyre: nga pasioni te braktisja apo nga vetmia te shkrirja emocionale. Poetja e mirënjohur durrsake përvijon dhembjen, mallin dhe dëshirën përmes imazheve të gjalla poetike.

Autorja e vëllimit poetik ’’Unë jam Ti’’ zotëron një gjuhë të pasur në metafora, ngjashmëri dhe imazhe shqisore për të ngjallur emocione të forta.
Introspeksioni dhe autenticiteti evidentohet në sajë të mendimeve të thella dhe personale që poetesha ndan, duke krijuar kështu një lidhje empatike me lexuesin e saj. Merita Kuçi krijon një personazh femëror që kalon nëpër faza të ndryshme të jetës, duke eksploruar gëzimet, vuajtjet dhe rritjen.

Poezia e saj ngjason herë si dialog, reflektim a monolog që zbulon shpirtin e protagonistes.
Përmbledhja poetike ’’Unë jam Ti’’ është një udhëtim poetik në intimitetin femëror, një vepër që rrëmben shpirtin dhe zemrën e lexuesit, duke ofruar një këndvështrim unik të spiritualitetit femëror.

Libri “Unë jam ti” surprizon publikun e apasionuar pas poezisë dhe e fton në një ekspeditë studimi të ndjenjave dhe përvojave të thella femërore.
Poetja e mirënjohur durrsake Merita Kuçi (Thartori) u jep grave një zë që të dëgjohen. Poezitë e saj unike portretizojnë bukur botën e brendshme të gruas.

Nga Gladiola Jorbus

Share: