Në 12 vitet e fundit popullsia shqiptare është tkurrur me afro 400 mijë banorë. Të dhënat e Censin 2023 tregojnë se në vendin tonë jetojnë aktualisht rreth 2.4 milionë banorë.
Reforma administrativo-territoriale u ndërmor në vitin 2014, pikërisht për shkak të efekteve që kishin prodhuar ndryshimet demografike, sociale dhe ekonomike, të cilat i nxori në pah Censi i vitit 2011, ku popullsia e Shqipërisë rezultonte në rënie në raport me vitin 2001.
Për këtë arsye, duke qenë se shumë njësi ishin tkurrur dhe nuk kishin aftësinë për të ofruar shërbime, qeveria vendosi uljen e njësive të vetëqeverisjes vendore nga 373 në 61 bashki, duke u dhënë mundësinë njësive të reja që të kenë nën menaxhim territore më të mëdha, numër më të lartë popullsie, në mënyrë që të rritej aftësia për të administruar taksat, për të mbledhur të ardhurat dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve. Qwllim tjetwr ishte ulja e kostove.
Por tashmë një dekadë pas kësaj reforme, gjendemi në të njëjtin udhëkryq. Për shkak të fenomenit të emigrimit, bashkitë kanë humbur popullsi duke u tkurrur në mënyrë të ndjeshme. Referuar censit 2023, 14 nga 61 bashki kanë nën administrim një popullsisë prej më pak se 10 mijë banorësh, ndërsa 5 bashki kanë më pak se 5 mijë banorë, të tilla si Libohova, Këlcyra, Pusteci, Konsipoli, Fushë-Arrësi.
Në strategjinë sektoriale të menaxhimit të financave publike 2023-2030, qeveria parashikon rishikimin dhe përditësimi i formulës së transfertave të pakushtëzuara për bashkitë, duke përdorur të dhëna të reja të bazuara në regjistrimin e popullsisë, çka tregon që fondet nga ky mekanizëm për bashkitë që janë tkurrur, do të bien.
Nga ana tjetër synohet zhvillimi dhe zbatimi gradual i një sistemi shtesë grantesh të bazuara në performancë, në tregues të matshëm dhe të verifikueshëm. Por sa të afta do të jenë bashkitë e vogla për të arritur nivel të lartë perfomance dhe për të përthithur këto grante?
Të dhënat nga pushteti vendor tregojnë se këto janë bashki të dobëta ekonomikisht pasi me të ardhurat që mbledhin nuk arrijnë të përmbushin funksionet e tyre kryesore. Në këto kushte për qeverinë hidhet në “tryezë” një sfidë tjetër, si ti bëjë këto bashki të qëndrueshme ekonomikisht dhe a mund të jetë zgjidhje reduktimi i tyre i mëtejshëm?
360grade.al