Timo Flloko, mik i shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare, i ka kushtuar kolosit të letërsisë një poezi emocionuese, ku ka rrëfyer ndjesitë e tij në një mëngjes bosh, pas trishtimit që la pas humbja e Kadaresë.
Poezia:
Timo Flloko – KADARE (Requiem)
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
“Chateau Juvenilja” tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegëtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vonë, nga erërat që frynin
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda në fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shteg’tar që kapërcen kohërat.