Dy partitë e mëdha vulosën marrëveshjen për ligjin e ri zgjedhor para se te merrnin pushimet. Listat nuk u hapën plotësisht sërish, ndërkohë lajmi i mirë ishte vetëm për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Në zgjedhjet parlamentare të 2025 për herë të parë do të votojnë të gjithë emigrantët pa përjashtim, mjafton që të kenë një adresë të saktë, me kushtin që të regjistrohen tre muaj para datës së votimit, përndryshe nuk e gëzojnë dot këtë të drejtë. I gjithë procesi i regjistrimit, votimit dhe numërimit të votave të tyre, do të udhëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Demokratët e kishin merakun te posta që do sjellë zarfet me vota.
“KQZ të përzgjedhë një operator postar që mundëson postën e shpejtë, të jetë me reputacion dhe të negociojë kostot më të favorshme në këtë proces”, tha Oerd Bylykbashi.
Kundështia më e madhe u has te formula e re sesi një deputet do të fitojë të drejtën për t’u futur në Kuvend. Pakti politik i arritur mes PS dhe PD mbyll 1/3 e listës, duke ia lënë në dorë sërish kryetarit të partisë dhe vetëm 2/3 do të luftoje për votë preferenciale. Për kandidatet që do të jene në gare për një ulëse në Kuvend nuk do ketë as herës 10 mije vota dhe as 7 mijë, mjafton një votë më shumë për të siguruar mandatin.
“Po të vesh re, 80 mandate mund të jenë në lojë të hapur, pjesa tjetër është e fiksuar. Pse nuk e lëmë totalisht të hapur? Ka një parim, ligji zgjedhor duhet të jetë uniform për çdo parti”, u shpreh Damian Gjiknuri.
“Drafti i arritur nga pazari, në nenin 4 të këtij projektligji është parashikuara thjesht lidhur me çështjen e herësit të famshëm, listat të hapura 30% të tyre janë të hermetizuara,. Është një zgjidhje lidhore që bie ndesh me kushtetutën, lidhur me diasporën është vendosur votë me postë, me pagesë dhe pikatore, diaspora të cilën për të gjithë betohen do ta ketë me pikatore me paratë e tyre aq sa të dojë partia, ajo që do të jetë nesër pasnesër do të jetë një test i karakterit politik për sistemin zgjedhor. Iniciativa ime është e qartë, ndoshta e do rregulli. Ka kaq shumë vrima këtu fut ujë ky projekt, sa do t’i jepet dhuratë pushtetit të Edi Ramës. Zgjidhja pse të mos ishte e njëjta, sot po thyhet rekord i ri, po i dhurohet mandati i katërt Edi Ramës në tavolinë, e ka marrë e ka blerë”, tha Alibeaj.
“Ju relatoret Oerd dhe Damian, jeni gati për të garuar te lista e hapur”, pyeti Jurgis Çyrbja.
“Nëse partitë demokratike janë demokratike, kandidati më i ri ka të njëjtat të drejta siç ka politikani i vjetër. Nëse nuk ndodh ky rotacion për shkak të votës së qytetarëve, ky është proces i emëruar”, shtoi Fatmir Mediu.
“Dita e dytë e zezë pas 2008-ës, 102 deputetë s’do votohen! Vota ime kundër, s’jam lëpirës”, tha Dash Sula.
Krahas kundërshtive, formula e re e kaloi testim e votave ne Komisionin e Ligjeve pasi as zërat kundër nuk mundën të bllokonin marrëveshjen e dy partive të mëdha, e cila pritet te siglohet edhe ne Parlament.
Top Channel