Disa vende arabe në prapaskenë mbajnë marrëdhënie të ngushta me Izraelin. Të tjerat janë vatra e grupeve të mbështetura nga Irani dhe e konsiderojnë veten pjesë të “boshtit të rezistencës” kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Jordania: Akt balancues
Jordanisë, një monarkie kushtetuese i duhet vazhdimisht të balancojë. Një ndër pesë persona në Jordani, duke përfshirë mbretëreshën, janë me origjinë palestineze. Mbështetja për shtetin palestinez dhe të drejtat e barabarta janë dëshirë e shumë vendasve, e krerët e vendit shpesh flasin hapur për këtë. Por Jordania është gjithashtu e afërt me Izraelin dhe SHBA, ndoshta më shumë se sa duan shumë vendas, thonë ekspertët. Në vitin 1994, Jordania nënshkroi një marrëveshje paqeje me Izraelin. Të dy kombet punojnë së bashku për çështjet që lidhen me sigurinë, siç është siguria në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.
Në vitin 2021, SHBA dhe Jordania nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen që lejon forcat, automjetet dhe avionët amerikanë të hyjnë dhe të lëvizin lirshëm nëpër Jordani. Në prill të këtij viti, kur Jordania me gjasë ndihmoi në rrëzimin e raketave iraniane që kalonin hapësirën e saj ajrore drejt Izraelit, shumë vendas e panë këtë si një tradhti. Jordania mban po ashtu marrëdhënie diplomatike me Iranin, por ato priren të jenë të ftohta. Vizita e fundit e ministrit të Jashtëm të Jordanisë Ayman Safadi në Iran për të diskutuar përshkallëzimin e tensioneve në rajon ishte një nga të rrallat.
Egjipt: Interesi vetjak dhe diplomacia
Egjipti fqinj, nën qeverisjen autoritare të Abdel Fatah el-Sisit, duhet gjithashtu të balancojë me kujdes marrëdhëniet e tij me Izraelin. Që nga nënshkrimi i një traktati paqeje me Izraelin në vitin 1979, “Egjipti është përpjekur të balancojë interesat e tij kombëtare, veçanërisht ato në lidhje me pasiguritë në Sinai me mbështetjen për kauzën palestineze”, thuhet në një raport të majit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. “Konkretisht, kjo përpjekje ka nënkuptuar refuzimin e çdo përgjegjësie të drejtpërdrejtë për gjendjen e vështirë të njerëzve në Gaza, duke mbështetur përpjekjet për të arritur një zgjidhje diplomatike bazuar në zgjidhjen me dy shtete.”
Tema e sigurisë dhe bashkëpunimi ekonomik me Izraelin kanë pjesë e zakonshme e marrëdhënieve, dhe deri në fillimin e konfliktit të Gazës, Egjipti ishte përgjegjës për kalimin kufitar Gaza-Egjipt në Rafah. Kërkesat izraelite që të lejohet të kontrollojë këtë zonë janë problematike për Egjiptin, siç është potenciali që gjendja humanitare gjithnjë e më e përkeqësuar në Gaza të kalojë në valë refugjatësh në territorin egjiptian. Qeveria egjiptiane më parë e kundërshtonte Hamasin, duke e parë atë si një organizatë islamike dhe një kërcënim për të, por kohët e fundit, ky qëndrim ka ndryshuar disi dhe Egjipti ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat e armëpushimit. Edhe marrëdhëniet e Egjiptit me Iranin janë përmirësuar që nga viti 2023, por ato gjithashtu priren të jenë të ftohta.
Liban: Hizbollahu
Libani, një demokraci parlamentare, ka qenë vetë i ngarkuar me një krizë të rëndë politike dhe ekonomike këto vite. Vendi nuk ka pasur qeveri të zgjedhur që nga viti 2020 dhe po përballet me një nga krizat më të rënda në botë. Para kësaj, qeveria libaneze përbëhej gjithmonë nga përfaqësues të shumë grupeve të ndryshme fetare dhe etnike të vendit.
Krahu politik i Hezbollahut përfaqëson interesat e myslimanëve shiitë dhe luan një rol të rëndësishëm në qeverisjen e Libanit. Ai duhet të balancojë interesat e veta me ato të grupeve të tjera të fuqishme, duke përfshirë të krishterët libanezë, myslimanët sunitë dhe druzët. Kurse krahu ushtarak i Hezbollahut është diçka tjetër. Ai është kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe disa vende evropiane dhe mendohet të jetë më i pajisur dhe organizuar se vetë ushtria e Libanit. Shumë politikanë libanezë dhe vendas nuk duan domosdoshmërisht që Hezbollahu të fillojë një luftë më të madhe me Izraelin. Por politikanët libanezë e dinë gjithashtu se kanë pak kontroll mbi Hezbollahun, i cili është lojtari i fuqishëm në të ashtuquajturin “bosht i rezistencës”, një koalicion i lirë i grupeve militante të mbështetur nga Irani dhe në kundërshtim me Izraelin dhe SHBA.
Siria e mbështetur nga Irani
Që nga krijimi i shtetit të Izraelit në vitin 1948, Siria e ka konsideruar veten në luftë me fqinjin e saj. Shpesh ka shkëmbime zjarri mes dy palëve, megjithëse ato konsiderohen kryesisht simbolike. Sot diktatori sirian Bashar Assad është në pushtet falë Iranit, që e mbështeti atë ushtarakisht gjatë luftës civile 13-vjeçare të vendit. Kjo shpjegon edhe praninë në rritje të milicive pro-Iraniane në Siri, duke përfshirë anëtarë të Hezbollahut dhe të tjerë nga Iraku. Kjo ka çuar në intensifikimin e sulmeve izraelite nga viti 2017 dhe përshkallëzim të mëtejshëm që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit terrorist kundër Izraelit. Një sulm i prillit nga Izraeli në kompleksin diplomatik iranian në Damask, kryeqytetin e Sirisë, ku u vra një komandant i lartë iranian, çoi në hakmarrje të Iranit.
Irak: Kundër ndërhyrjeve të jashtme
Iraku nuk e njeh Izraelin dhe megjithëse qeveria e Irakut – aktualisht e dominuar nga politikanët myslimanë shiitë – është afruar më shumë me Iranin gjatë dekadës së fundit, çështja palestineze i kalon vijat ndarëse fetare, thonë ekspertët. Brenda Irakut ka një sërë grupesh militante që gjithashtu i përkasin “boshtit të rezistencës” të Iranit. Këto grupe kanë goditur më parë me raketa bazat amerikane brenda Irakut dhe gjithashtu janë përpjekur, por kryesisht kanë dështuar, të godasin Izraelin. SHBA është kundërpërgjigjur ndaj tyre. Qeveria irakiane dhe forcat e saj të sigurisë priren ose t’i tolerojnë këto grupe ose të kenë pak kontakte me ta. “Iraku ka qenë gjithmonë i detyruar të balancojë marrëdhëniet e tij midis SHBA-së dhe Iranit,” tha së fundmi Marsin al-Shamary, një studiues në Institutin Brookings, një institut politik me qendër në Uashington.
“Kjo nuk është e re për udhëheqësit irakianë. Marrëdhëniet e Bagdadit me Uashingtonin i kanë pasur vijat e qarta, veçanërisht në lidhje me pozicionin e Irakut ndaj Izraelit… Iraku ka mbështetur vazhdimisht kauzën palestineze dhe pozicioni i tij mbi këtë konflikt aktual nuk është formësuar nga mbështetja e Iranit për Hamasin.”
Jemen: Gjithçka lidhet me Huthit
Për shkak të një lufte civile, Jemeni është i ndarë midis qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Aden, Jemenin jugor, dhe grupit rebel Huthi në Jemenin verior. Asnjëra palë nuk e njeh Izraelin. Vendi fqinj i Jemenit, Arabia Saudite, më parë udhëhoqi një koalicion kundër Huthit, por që kur u nënshkrua një armëpushim në fillim të vitit 2022 ka pasur një qetësi relative. Huthit konsiderohen gjithashtu pjesë e “boshtit të rezistencës”. Ata mbështesin Hamasin, pretendojnë se Izraeli është një forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme dhe janë kundër pranisë së SHBA-së në rajon. Në nëntor të vitit të kaluar, ata filluan të lëshojnë raketa në drejtim të Izraelit dhe të bllokojnë trafikun detar në mbështetje të Hamasit.
Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari: Pragmatike dhe të pasura
Monarkitë autokratike të shteteve arabe të Gjirit kanë ndërkohë një qasje më pragmatike ndaj konfliktit aktual. Ato e shohin Iranin si armik dhe ka kohë që punojnë për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan të ashtuquajturat Marrëveshje të Abrahamit, me të cilat vendosën kontakte diplomatike me Izraelin. Arabia Saudite dukej se ishte vendi tjetër që do ta bënte këtë hap.
Kurse Katari ka qenë më shumë një vend ndërmjetësies. Ai e shmang normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, por në fakt vendosi me të lidhje ekonomike që në vitet 1990. Për shkak se në Katar pritet gjithashtu edhe krahu politik i Hamasit, ky vend ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat e armëpushimit./DW