Home Gjeo-Ekonomia Gjeoekonomia Kino – Afrikane deri në 2030

Gjeoekonomia Kino – Afrikane deri në 2030

Nga Artur Nura

Ekonomia është biznes dhe biznesi është garë projektesh, politikash të cilat ose afrojnë ose largojnë partnerët. Raporti i përfitimit të palëve është gjithmonë ai që vendos. Ky fenomen mund të përmblidhet me termin “gjeoekonomia” e cila përmbledh përplasjen ose sinergjizimin e të gjithë interesave të palëve. Kush e luan më mirë “gjeoekonominë” është fitimtari i vërtetë.

Në këtë kënd vështrim logjik sot do shohim bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar Kinë-Afrikë që duket se vazhdon të arrijë lartësi të reja që nga Forumi i mbajtur në vitin 2021 me temë Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC).

Duke paralajmëruar lexuesit që Samiti i radhës i FOCAC 2024 do të mbahet në Pekin nga 4 deri më 6 shtator 2024, ku Kina dhe Afrika do të rinovojnë dhe do të diskutojnë mënyrat për të promovuar bashkëpunimin reciprok shumë planesh, kujtojmë që në vitin 2021, është mbajtur Konferenca e Tetë Ministrore e FOCAC.

“Në ceremoninë e hapjes, Presidenti kinez Xi Jinping njoftoi se Kina dhe Afrika kishin përgatitur së bashku Vizionin e Bashkëpunimit Kinë-Afrikë 2035. Sipas planit të parë trevjeçar të këtij vizioni , Kina do të punojë ngushtë me vendet afrikane për të zbatuar nëntë programe,” – ka deklaruar zv.ministri i Tregtisë së Kinës Tang Wenhong.

Duket se Kina në shërbim të këtij qëllimi gjeoekonomik ka vënë në dispozicion një sërë institucionesh të rëndësishme si Ministria e Tregtisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjencia Kineze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, të cilat në këtë projekt afatgjatë, bashkëpunojnë me anëtarë të tjerë të Komitetit Kinez Ndjekës të FOCAC dhe synojnë të forcojnë koordinimin me aktorët Afrikanë.

Në fjalë konkrete, ky projekt i madh gjeoekonomik me Afrikën përmbledh nëntë programe duke e çuar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik Kinë-Afrikë në nivele të larta. Sipas autoriteteve Kineze këto nëntë programet nën FOCAC kanë konsoliduar bashkëpunimin Kinë-Afrikë në fushat tradicionale me iniciativa si promovimi i tregtisë, promovimi i investimeve dhe reduktimi i varfërisë, e keto programet e zhvillimit të bujqësisë, tregtia dhe bashkëpunimi i investimeve Kinë-Afrikë ka bërë përparim të qëndrueshëm.

Sipas burimeve zyrtare mediatike Kineze në vitin 2023, tregtia Kinë-Afrikë arriti në 282.1 miliardë dollarë duke bërë që Kina të jetë partneri më i madh tregtar i Afrikës për 15 vite rresht. Janë zbatuar një sërë projektesh infrastrukturore dhe prodhuese, duke përfshirë portin e detit të thellë Lekki në Nigeri, autostradën e aeroportit në Nairobi, stacionet e energjisë diellore në Afrikën e Jugut dhe fabrikat e pajisjeve shtëpiake në Egjipt.

“Këto projekte kanë rritur bashkëpunimin Kinë-Afrikë përgjatë zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Egjipti lëshoi bondin e parë panda të Afrikës. Këto përpjekje kanë pasuruar kanalet e financimit për bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik Kinë-Afrikë. Për të mbështetur modernizimin bujqësor të Afrikës, Kina ka dërguar mbi 500 ekspertë te Bujqësisë në Afrikë të cilët ofruan gati 9,000 mundësi trajnimi për profesionistët e bujqësisë nga Afrika, ” ka deklaruar po zv. Ministri i Tregtisë së Kinës Tang Wenhong.

Çfarë thonë Institucionet Ndërkombëtare Financiare për këto zhvillime gjeoekonomike?

Sipas “CNBC Africa” gjatë 20 viteve të fundit, Kina është bërë partneri më i madh tregtar dypalësh i Afrikës Sub-Sahariane. Rreth 20% e eksporteve të rajonit tani shkojnë në Kinë dhe rreth 16% e importeve të Afrikës vijnë nga Kina, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Mallrat parësore – metalet, produktet minerale dhe karburantet – përfaqësojnë rreth tre të pestat e eksporteve të Afrikës në Kinë, ndërkohë që zakonisht importon mallra elektronikë dhe makineri të prodhimit kinez.

Në të njëjtën kohë, Kina u ofroi vendeve afrikane një burim të ri financimi për infrastrukturën, minierat dhe energjinë. Për më tepër, investimet e huaja direkte kineze (IHD) janë rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2003, fluksi vjetor i IHD-ve nga Kina në Afrikë ishte afërsisht 75 milionë dollarë. Ai arriti kulmin në 5 miliardë dollarë në vitin 2022, duke përfaqësuar rreth 4.4% të totalit të IHD-ve të rajonit. Iniciativa Belt and Road (BRI), një strategji zhvillimi globale e nisur në vitin 2013, është korniza për IHD-të e Kinës të drejtuara kryesisht drejt infrastrukturës së transportit, energjisë dhe minierave.

Zëra afrikanë për këto marrëdhënie gjeoekonomike

Bashkëpunimi Kinë-Afrikë është një shembull i modelit transformues të bashkëpunimit rajonal dhe global bazuar në respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta, thotë për Global Time Nicholas Dweh Nimley, redaktor menaxhues i South Liberia Post Online Newspaper që ka përshëndetur lidhjet ekonomike dhe tregtare midis Kinës dhe kontinentit afrikan, të cilat sipas tij kanë nxitur rritjen ekonomike, zhvillimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e tregtisë midis shumë vendeve afrikane.

“Modeli i ri jo vetëm që vë në kontrast dinamikën tradicionale të fuqisë Veri-Jug, por gjithashtu nxit vetë-mbështetjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm brenda Jugut Global. Angazhimi i Kinës me Afrikën shërben si një model për rajonet e tjera për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të nxitur përparimin e përbashkët” – përcakton Nicholas Dweh Nimley në këtë pronuncim për Global Times.

“Në tre vitet e fundit, kompanitë kineze kanë krijuar më shumë se 1.1 milion vende pune lokale. Zonat e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në të cilat firmat kineze kanë investuar dhe ndërtuar në Afrikë, në sektorë të tillë si bujqësia, përpunimi dhe prodhimi, logjistika tregtare dhe industri të tjera, kanë tërhequr më shumë se 1,000 kompani dhe kanë ndihmuar në rritjen e të ardhurave tatimore të Afrikës dhe fitimet e këmbimit valutor nga eksportet”- bën me dije Xinhua.

Një dimension publik & privat Kinez i kësaj gjeoekonomie

Sipas ekspertëve, dhe të dhënave nga institucionet ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, në dekadën e ardhshme, sektori privat i Kinës, në vend të ndërmarrjeve të saj shtetërore, ka të ngjarë të udhëheqë tregtinë dhe investimet në Afrikë.

Nga 3000 ndërmarrjet kineze që janë investuar në Afrikë, më shumë se 70% janë biznese të sektorit privat. Zona Afrikane Kontinentale e Tregtisë së Lirë (AfCFTA) ka të ngjarë të përshpejtojë këtë prirje duke promovuar rritjen e zinxhirëve rajonalë të vlerës, duke u ofruar bizneseve kineze akses në një treg më të madh të unifikuar afrikan.

Po sipas “CNBC Africa”, një rezultat i ngjashëm u realizua me tregun e vetëm të BE-së – Kina tani është partneri më i madh i importit të jashtëm të BE-së. E nisur zyrtarisht në vitin 2021, AfCFTA krijon një treg të vetëm që parashikohet të rritet në 1.7 miliardë njerëz dhe 6.7 trilion dollarë në shpenzime konsumatore dhe biznesi deri në vitin 2030.

Marrëveshja e tregtisë preferenciale do të rrisë eksportet ndërkombëtare dhe tregtinë ndër-afrikane, veçanërisht në bujqësi dhe minerale të teknologjisë së gjelbër. Kjo do të zhbllokojë mundësitë për bizneset lokale dhe globale për të hyrë dhe zgjeruar në tregje të reja në të gjithë kontinentin. Plani i parë i veprimit i sektorit privat për AfCFTA u lançua në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në janar 2024.

Samiti i radhës i FOCAC 2024 qe do të mbahet në Pekin nga 4 deri më 6 shtator 2024 përfaqëson një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kinës dhe Afrikës, pas samitit në kryeqytet në vitin 2006, samitit të Johanesburgut në vitin 2015 dhe forumit FOCAC gjithashtu në Pekin në vitin 2018.

Ai do te jete gjithashtu ngjarja më e madhe diplomatike që Kina po përgatitet të presë vitet e fundit, me pjesëmarrjen më të lartë të udhëheqësve të huaj dhe të tashmen si një “mysafir special” Sekretarine  Përgjithshëm të OKB-së z. Antonio Guterres.

Në vend të një konkluzioni parimor… 

Ndërsa shumë vende afrikane janë të lumtura t’i hapin dyert Pekinit me kontributin e saj në kalimin në energjinë e rinovueshme, sigurisht që ka disa elementë kritikë.  

“Një partneritet fitues apo një kurth borxhi?” Është pyetja që shtrohet nga kritikët për të përshkruar kreditë e Kinës për Afrikën. Por, sipas Statistikave Ndërkombëtare të Borxhit të Bankës Botërore, në vitin 2022, afrikanët u kishin borxh 655.6 miliardë dollarë kreditorëve të jashtëm. Huadhënia publike e Kinës përbënte më pak se 10 përqind të kësaj. Më shumë se 35 për qind e këtij borxhi u detyrohet bankave perëndimore, menaxherëve të aseteve dhe tregtarëve të naftës. Dhe mesatarisht, ata ngarkojnë dy herë më shumë interes për kreditë e tyre. 

Duke huazuar një shprehje të ish-ambasadorin shqiptar në Kinë, z. Hajdar Muneka, “Treni kinez ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme. I fituar është ai vend që arrin të ndërtojë një stacion të këtij treni në vendin e tij.”/CRI.CN

Share: