Ambasadorët e Shqipërisë nuk do të kenë më mandat 3 vjeçar, por do të qëndrojnë në krye të misioneve diplomatike për 4 vite. Ky është synimi i ndryshimeve në ligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, të hedhur për konsultim publik që prej dy gushtit.
Ndryshe nga sa ligji më parë parashikonte që “Funksioni i kreut të misionit diplomatik është, si rregull, 3 vjet”, ligji i ri thotë se mandati kreut të misionit diplomatik bëhet 4 vite.
“Mandati i kreut të misionit diplomatik është katër vjeçar. Kreu i misionit diplomatik nuk mund të ushtrojë më shumë se dy mandate të njëpasnjëshëm në misione diplomatike dhe poste konsullore.”- thuhet në projektligj.
Për herë të parë, futet në ligj edhe koncepti i Akademisë Diplomatike. Kjo strukturë, në varësi të ministrisë së Jashtme: do të ketë një funksion: përgatitjen e trajnimin e diplomatëve dhe parashikohet t’i kushtojë buxhetit të shtetit 20 milionë lekë në vit.
“Akademia Diplomatike ka për detyrë: a) formimin profesional, i cili përfshin trajnimin e diplomatëve të rinj, si dhe trajnimin e të gjithë anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm; b) organizimin e kurseve individuale të trajnimit përpara fillimit të detyrës në misionet diplomatike ose konsullore; c) organizimin e kurseve për mësimin dhe perfeksionimin e njohurive të gjuhëve të huaja, si dhe kurseve përgatitore kualifikuese për gradat diplomatike”-thuhet në projektligj.
Po ashtu, projektligji, parashikon edhe emërimin e koordinatorëve pranë strukturave të Kuvendit, Presidentit, Kryeministrit dhe ministrive kryesore që mbulojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Koordinatorët emërohen nga diplomatët e karrierës për një kohëzgjatje jo më shume se dy vjet, me të drejtë rinovimi, ndërsa kjo do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 19 milionë lekë në vit.
360grade.al