Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe profesori i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit për studime sociale Arsim Sinan kanë qëndruar për vizitë në Sicili, të ftuar në një takim me kryetarin e Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, Rosario Petta.
“Sot pata nderin të vizitoj ngujimet arbëreshe në Sicili, një eksperiencë e jashtëzakonshme. Gjatë kësaj vizite, takova njerëz që mbajnë gjallë traditat dhe kulturën tonë, ndër të cilët veçoj takimin me kryetarin e Bashkisë së Horës së Arbëreshëve, Rosario Petta. Ai përfaqëson një shembull frymëzues të ruajtjes së trashëgimisë sonë kombëtare. Një ditë e veçantë që do të mbetet gjatë në kujtesën time! “, ka shkruar Kasami.
Kryetari i Bashkisë Hora e Arbëreshëve, Rosario Petta që në lidhje me këtë vizitë ka dhënë një intervistë për Radio Radicale me gazetarin Artur Nura, theksoi se kjo është vizitë shumë madhështore që kryetari i komunës më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut qëndroi në mesin e arbëreshëve dhe u zhvilluar për bashkëpunim të thellë vëllazëror midis dy komunave.
Në këtë vizitë në Piana del Albanesi (Hora e Arbëreshëve) profesori i Universitetit të Prishtinës Arsim Sinani tha se bashkëpunimi mes shqiptarëve lipset përtej kufijve të forcohet dhe shtoi se sot ka më shumë se kurrë mundësi për tu afruar.
Kryetari i Komunës Tetovës Bilal Kasami ashtu edhe profesori Arsim Sinani gjatë vizitës në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Sicili takuan edhe Mario Calivą, poet, dramaturg dhe gazetar arbëresh, i cili është promovues i shquar i traditës dhe kulturës arbëreshe.
Sipas zyrës së Kasamit në takim u diskutuan tema bashkëpunimi në sferën e lidhjes kulturore dhe artistike midis shqiptarëve, sidomos fokusi në promovimin e trashëgimisë, vlerave kulturore dhe artistike të arbëreshëve në mesin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.