Nga Artan Fuga
Ata që luftuan fort me të, bërthama e kombit të ri iku, mori arratinë pas rënies së shtetit të parë shqiptar, nën brekushen osmane.
Ata arbëreshët e ruajtën identitetin e tyre fort atje larg pas detit. Dhe me vjersha, valle, gojëdhëna, këngë, mite, rrëfime, kujtime, gjuhë, zakone, veshje ruajtën nostalgjinë për atdheun dhe shtetin e tyre.
Ndërkaq, në folklorin në Shqipëri, si edhe në literaturën dhe artin e përpunuar në Shqipëri, ka mbretëruar një heshtje varri për ata, për ata që ikën, për ata që luftuan, që ishin më shqiptarë se shqiptarët.
Edhe rilindasit e shekullit të 19-të nuk se u japin ndonjë vend për të qenë!
Ky është një turp kolektiv që duhet të na bëjë të na skuqet faqja!
Harresë kolektive që ju e kuptoni se çfarë shpjegimi ka. Harrohet i ikuri. Larg nga ata që shiheshin me sy të keq nga pushtuesi osman. Jooo, ç’ne ne nuk kemi lidhje me ta! Harresë kolektive!
Ndofta shiheshin edhe si “pazzi” sepse kishin dashur të ngrinin kokë kundër superfuqisë që hodhi hijen e vet mbi Ballkan dhe Shqipëri. Jo, ne jemi të pastër!
Mirë që nuk u thanë se jeni jashtëqitja e kombit!
Ore, mos bënë ata sikurse bëhej në kohën e komunizmit që u qendrohej larg armiqve të klasës, atyre që ishin nëpër këneta, kampe, burgje politike, nuk u këndohej, sepse bëhej distancimi ndaj tyre?
Mos ishte një formë përjashtimi social?
Kot po them, mo kot!
Dhe ata nuk u ankuan kurrë që ne i harruam në shekuj! Pa lëre të vijnë dhe të kërkojnë pronat e tyre të rrëmbyera nga bashkëpuntorët e pushtuesve të asaj kohe!
Mua më vjen turp nga vetja kur ndjek krijimtarinë arbëreshe dhe nostalgjinë e madh të tyre, shumë qarëse, për atdheun dhe shtetin e tyre, dhe shoh boshllëkun në folklorin dhe krijimtarinë artistike në Shqipëri që kujton ata dhe aventurën e tyre të madhe shekullore.
Studimet për shekujt 10 – 15 duhet të zhvendosen urgjentisht te arbëreshët, ose ne do të vazhdojmë të jemi idiotë shkencorë!