Nga Erisa Zyko
Ishte hera e parë që nuk hyra në Shqipëri përmes kaltërsisë së qiellit. Një tjetër kaltërsi më mbështolli në fluturim valësh për të rigjetur rrënjët e vendlindjes. Rigjetja e rrënjëve është një proces i pashpjegueshëm që buron nga gjithësia e ujërave, e maleve, perëndimeve të papërshkrueshme të diellit ( si ato të Vlorës) dhe njerëzit që duam. Aty vlon forca si hekuri që rrihet në zjarr, përcillet dashuria e buzëqeshjeve të sinqerta dhe energjia e çmendur, që më ripërtërijnë e më veshin për t’u përballur me betejat e jetës.
Shpeshherë përlotem kur shoh malet, detin, lumenjtë, liqenet. Ndoshta pasi magjia e Shqipërisë, për mua, është kjo…
Në tragetin e mbushur me pasagjerë të huaj me destinacion Korfuz-Sarandë, ne me një çift tjetër shqiptarësh bëjmë përjashtim. Lamë pas qytetin e vjetër të Korfuzit me arkitekturën mbresëlënëse veneciane, deti i ngrohtë i të cilit, lagështira dhe mushkonjat, ia zvenisin bukurinë. Mbërrijmë në Sarandë.
Pas 8 vjetësh, qyteti ka pësuar një metamorfozë. Eshtë e rrallë të shohësh një qytet në Jugun e Shqipërisë me kaq gjallëri, me dekor të kuruar, të pastër, shpirti i të cilës jeton ende përmes shkallëve të bukura të qytetit, mirësjelljes së banorëve të saj, plazheve të bukura dhe Butrintit të mahnitshëm, edhe pse janë vjedhur shumë statuja që nga 1997. Vetëm sarandiotët e dijnë se si ka qenë Butrinti më parë.
Saranda ka përftuar një sharm (nur) perëndimor, si qytetet e Spanjës së Jugut dhe është i mbushur me të huaj. Mua më pëlqen të jem e rrethuar nga gjuhë të ndryshme, kultura të ndryshme, histori të ndryshme, për faktin e thjeshtë se ato janë pasuri. Më rri shumë bukur petku i diversitetit.
Eshtë pikërisht për këtë arsye që më pëlqen Brukseli me multinacionalizmi e tij. Por multinacionalizmi i jep një tjetër dimension Shqipërisë, si vendi që ka kaluar izolimin më të madh në Europë. Ndaj jam vërtet e impresionuar…
Mëngjeset buzë detit në Sarandë janë të mrekullueshme nga tabloja e sarandiotëve të moshuar që pasi lahen në plazhin publik, aspak të mbipopulluar dhe me ujin e pastër edhe pse pranë portit, luajnë domino, shah, bëjnë batuta dhe diskutojnë me orë të tëra ndërsa shohin turistët që kalojnë para tyre me çanta shpine. Margariti dhe Silva e Vila Margariti, ku qëndrojmë, është shëmbëlltyra dinjitoze e qytetit.
Të dy arsimtarë, u futën në zemrën tonë me kulturën, qytetarinë dhe thjeshtësinë e tyre. Ato pak orë bisedash mund të ishin shndërruar në mijëra nëse qëndrimi ynë nuk do ishte relativisht i shkurtër. Sipas Margaritit, sarandiotët lahen te pllakat.
Ndaj, ne ishim kuriozë t’a zbulonim plazhin e pllakave. Pllakat, me shkëmbinjtë e limuar, ku nuk je i detyruar të marrësh shezllon (chaise longue), me bukurinë mbresëlënëse të pamjes që ofron bari me të njëjtin emër, mikpritjen e Marselës, buzëqeshjen dhe fisnikërinë e Adolfit, profesorit të skulpturës, që takuam rastësisht, kanë një efekt manjetik.
Sipas Adolfit, për ata që nuk duan të bëjnë turin me anije për plazhe të virgjëra si Krorëz e gjire të tjera, mjafton të kalosh cepin e djathtë të plazheve të Sarandës për të gjetur super plazhe 1-2km më larg. Ndërkohë që drekat dhe darkat te Ladi, përballë marinës, me Barbunin e freskët, guzhinën e shijshme dhe njohjen shumë të mirë të qytetit vijnë si “crème de la crème”.
Njeriu nuk ka nevojë për luks për të shijuar momente të bukura të jetës. Mbeta duke perseritur shprehjen: “Perëndimorët janë velur me luksin dhe vijnë për të rigjetur natyrën dhe njeriun në formën më të thjeshtë të tyre. Dhe mbi të gjitha, nuk vijnë në Shqipëri për të gjetur luksin. Atë dijnë ku ta gjejnë”. Në këtë kuptim, është çmënduri për ne të duam të shkojmë patjetër në Ksamil si turistët e tjerë, kur Shqipëria është ‘e mbushur’ me Ksamile.
Mjafton qasja e duhur për t’a gjetur Ksamilin dikur tjetër. Për ata që dijnë t’a shijojnë jetën, mund të asistojnë në momente pikante të papërsëritshme në qytet si në barin Elvis, pranë plazhit publik. Aty shërben ‘Nona’, një grua e moshuar sarandiote, për të cilën vitet nuk kanë asnjë rëndësi.
Ajo është e re në zemër dhe kjo reflektohet edhe në jetën e përditshme. Nona i tërheq të huajt me sharmin e saj dhe cocktailet që bën sipas stilit të saj dhe tregon jetën e saj me shumë pasion. Aty flasim me hollandezë, francezë dhe polakë. Batuta e fortë që lanë hollandezët, ku takuam edhe një kryetare bashkie të një qytetit të rëndësishëm hollandez është:
“Kaluam nga Tirana dhe sinqerisht nuk morëm vesh asgjë. Gjendemi përpara një paradoksi. Ne lexojmë që Shqipëria është një ndër nga vendet më të varfra në Europë. Ndërkohë në Tiranë shohim makinat më luksoze, restorantet luksoze, bare luksoze dhe banorët e kuruar”. Hajde të japësh shpjegimin e duhur për këtë. Ndërkohë të tjerë na tregojnë që kanë arritur t’a bëjnë pothuajse gjithë Shqipërinë nga Veriu në Jug për 14 ditë. Vdes për këto lloj shkëmbimesh.
Udhëtimi vazhdon në Himarë dhe Llaman, ku ujii ftohtë dhe ngjyra e ujit gurëkali mund të artikulohet në shkallën superiore. Eshtë një kryevepër për ata që notojnë shumë si ne. Jugu ka plot perla larg kostove marramendese, duhet të dish t’i gjesh.
#saranda #butrint #himare #LLAMAN #beachllaman #submarine bay 105 #albania ⭐️⭐️⭐️⭐️⭐️#SummerVibes #summertime2024 #sunshine ❤️