Home Gjeo-Ekonomia Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës

Ndërsa studentët në mbarë Shtetet e Bashkuara pritet të rikthehen në universitete, administratorët po përgatiten për një rigjallërim të aktivizimit kundër luftës në Gazë dhe disa shkolla po miratojnë rregulla për të kufizuar protestat të ngjashme me ato që u përhapën në kampuse gjatë pranverës.

Pushimet e verës sollën edhe në ndërprerje të protestave studentore kundër luftës Izrael-Hamas, por kjo periudhë pushimi u dha studentëve protestues si edhe zyrtarëve të arsimit të lartë një shans për t’u përgatitur dhe për të hartuar strategji për semestrin e vjeshtës.

Në Universitetin e Kolumbias, presidentja Minouche Shafik dha dorëheqjen të mërkurën, pas një vëmendjeje intensive ndaj saj mbi mënyrën se si i menaxhoi demonstrata në kampusin në qytetin e Nju Jorkut, ku filloi vala e protestave dhe përhapjes së tendave pro-palestineze, pranverën që lamë pas.

Disa nga rregullat e reja të vendosura nga universitetet përfshijnë ndalimin e tendave, kufizimin e kohëzgjatjes së protestave, lejimin e tyre vetëm në hapësira të caktuara dhe të drejtën që qasje në kampus ta kenë vetëm ata me mjet identifikimi të universitetit. Kritikët thonë se disa nga masat do të kufizojnë lirinë e fjalës.

Shoqata Amerikane e Profesorëve të Universitetit shpërndau të mërkurën një deklaratë në të cilën dënonte “politikat tepër kufizuese” që mund të shkurajojnë lirinë e shprehjes. Shumë nga politikat e reja kërkojnë që protestuesit të regjistrohen paraprakisht dhe kufizojnë rreptësisht vendet ku mund të mbahen tubime, si dhe të vendosin kufizime të reja në përdorimin e altoparlanteve.

“Kolegjet dhe universitetet tona duhet të inkurajojnë, jo të shtypin, dialogun dhe debatin e hapur”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se shumë politika u imponuan pa u marrë mendimi i fakultetit.

Universiteti i Pensilvanisë ka përcaktuar “udhëzime të përkohshme” për protestat e studentëve që përfshijnë ndalimin e tendave, demonstratat gjatë natës dhe përdorimin e altoparlantëve pas orës 5 të pasdites, në ditët e mësimit. Universiteti i Pensilvanisë përcakton po ashtu se posterat dhe pankartat duhet të hiqen brenda dy javësh. Universiteti thotë se mbetet i përkushtuar ndaj lirisë së fjalës dhe tubimit të ligjshëm.

Në Universitetin e Indianës, sipas një “politike të re” që hyri në fuqi më 1 gusht, protestat pas orës 23:00. janë të ndaluara. Kjo praktikë e re ndalon ngritjen e tendave në kampus. Po ashtu, ndalohet vendosja e pankartave apo simboleve në ambjentet e universitetit pa miratim paraprak.

Edhe Universiteti i Floridës së Jugut përcakton dhënien e miratimit paraprak për ngritjen e për tendave, vendosjen e banderolave apo përdorimin e altoparlanteve.

Rregullat e shkollës për “lirinë e shprehjes, tubimin” përcaktojnë se asnjë “aktivitet”, përfshirë protestat apo demonstratat, nuk lejohet pas orës 17:00 gjatë ditëve të javës ose fundjavës dhe nuk lejohet në asnjë rast në dy javët e fundit të një semestri.

Një dokument paraprak i siguruar gjatë verës nga gazeta studentore në Universitetin e Harvardit tregonte se universiteti po shqyrtonte ndalimin e tendave gjatë natës si edhe të simboleve e pankartave, pa miratim paraprak.

“Tani po shohim një gjallërim të represionit në kampuse që nuk e kemi parë që nga fundi i viteve 1960”, tha Risa Lieberwitz, profesore pranë Universitetin Cornell, njëherësh këshilltare e përgjithshme për Shoqatën Amerikane të Profesorëve të Universitetit.

Universitetet thonë se nxisin lirinë e fjalës për sa kohë që ajo nuk prek procesin akademik dhe këmbëngulin se thjesht po përditësojnë rregullat ekzistuese për demonstratat, për të mbrojtur sigurinë në kampuse.

Tensionet janë shtuar në kampuset universitare që pas sulmi terrorist të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, që sipas autoriteteve izraelite la 1200 të vrarë, shumica prej tyre civilë dhe 250 vetë u morën peng.

Shumë studentë protestues në Shtetet e Bashkuara zotohen se do të vazhdojnë aktivizmin e tyre, i cili është nxitur nga bilanci në rritje i të vrarëve në Gazë, që shkoi në më shumë se 40,000 të enjten, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë që kontrollohen nga Hamasi.

Rreth 50 studentë të Universitetit Kolumbia përballen me vendime disiplinore lidhur me demonstratat e pranverës së kaluar, ndërsa ka ngecur një proces ndërmjetësimi që filloi më herët gjatë verës, thotë Mahmoud Khalil, negociator kryesor që përfaqëson studentët protestues. Ai fajëson për ngërçin zyrtarët e lartë të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork.

“Universiteti do të përçojë mesazhin se po dialogon me studentët. Por këto janë hapa të rremë me të cilat duan të duken mirë përpara donatorëve dhe klasës së tyre politike”, thotë Mahmoud Khalil, studenti i diplomuar në Shkollën për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Kolumbia. Universiteti nuk iu përgjigj kërkesës për koment të enjten.

Universiteti prestigjioz, që gjendet në Manhatan, u trondit në fillim të këtij viti nga demonstratat e studentëve, duke kulmuar me skenat e policisë që bastisën një ndërtesë të universitetit ku ishin ngujuar protestuesit pro-palestinezë.

Protesta të ngjashme u përhapën nëpër kampuset e universiteteve amerikane, në shumë prej të cilave pati përleshje të dhunshme me policinë dhe më shumë se 3,000 arrestime.

Akuzat janë hedhur poshtë për shumë prej studentëve të arrestuar. Por disa janë ende në pritje për të mësuar se çfarë do të vendosin prokurorët. Shumë studentë janë përballur me pasoja në karrierën e tyre akademike, përfshirë pezullime, mbajtje diplome dhe forma të tjera disiplinore.

Shafik ishte një nga drejtueset e universitetit që u thirrën për të dëshmuar në Kongres. Ajo u kritikua ashpër nga republikanët, të cilët e akuzuan se nuk bëri sa duhet për të luftuar shqetësimet rreth antisemitizmit në kampusin e Universitetit Kolumbia. Ajo njoftoi dorëheqjen përmes një emaili drejtuar komunitetit universitar, vetëm disa javë para fillimit shkollës më 3 shtator.

Të hënën, universiteti filloi të kufizojë qasjen në kampus duke lejuar vetëm individët e pajisur me kartën e lëshuar nga institucioni dhe vizitorët e regjistruar, duke thënë se donte të mënjanonte “pengesat e mundshme” ndërsa afrohet semestri i ri shkollor.

“Kjo periudhë ka shkaktuar një barrë të konsiderueshme për familjen time, si dhe për të tjerët në komunitet”, shkruante zonja Shafik në letrën e saj. “Gjatë verës kam qenë në gjendje të reflektoj dhe kam vendosur që largimi im do t’i mundësonte më së miri Universitetit Kolumbia që të kapërcejë sfidat përpara”.

Fillimisht, protestuesit pro-palestinezë ngritën tenda në mjediset e universitetit gjatë kohës që zonja Shafik dëshmonte në Kongres, në mes të prillit, kur ajo denoncoi antisemitizmin. Por ajo u përball me kritika për mënyrën se si reagoi ndaj punonjësve të universitetit dhe studentëve të akuzuar për njëanshmëri.

Universiteti i kërkoi policisë që të çmontonte tendat të nesërmen. Por studentët protestues u rikthyen, duke frymëzuar një valë protestash të ngjashme nëpër universitetet amerikane, pasi studentët kërkuan që shkollat të ndërprisnin lidhjet financiare me Izraelin dhe kompanitë që mbështesin luftën.

Qyteti i studentëve ishte kryesisht i qetë këtë verë, por një rrjet konservator lajmesh publikoi në qershor imazhe për të cilat tha se ishin mesazhe me tekst të shkëmbyera nga drejtuesit e universitetit ndërsa merrnin pjesë në një takim me 31 maj me temën “Jeta hebraike në kampus, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”.

Individët në fjalë u hoqën nga postet e tyre, ndërsa zonja Shafik tha në një letër drejtuar komunitetit shkollor se mesazhet nuk ishin profesionale dhe “cekin në mënyrë shqetësuese metaforat e lashta atisemite”.

Gjatë mujave të fundit kanë dhënë dorëheqjen disa drejtues të lartë të universiteteve prestigjioze, kryesisht për shkak të reagimit të tyre ndaj protestave nëpër universitete.

Presidentja e Universitetit të Pensilvanisë, Liz Magill dha dorëheqjen në dhjetor pas më pak se dy vitesh në detyrë. Ajo u përball me trysni nga donatorët dhe kritika për dëshminë e saj në Kongres, ku ajo nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të përsëritura nëse thirrjet në kampus për gjenocidin e hebrenjve binin ndesh me rregulloren e institucionit shkollor.

Në janar, presidentja e Universitetit të Harvardit, Claudine Gay dha dorëheqjen mes akuzave për plagjiaturë dhe kritikave të ngjashme për dëshminë e saj para Kongresit./VOA

Share: