Konflikti i tejzgjatur midis Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar rreth 1 milion viktima. Raporti është bërë publik nga media e njohur amerikane “The Wall Street Journal”.
Kjo shifër ka ndikuar ndjeshëm në stabilitetin demografik dhe ekonomik të të dy kombeve, që tashmë vuajnë nga rënia e popullsisë, shkruan A2. Vlerësimet jozyrtare tregojnë rreth 80 000 vdekje ushtarake ukrainase dhe 400 000 të plagosur. Për Rusinë, burimet perëndimore të inteligjencës theksojnë se shifrat e viktimave mund të jenë deri në 200 mijë të vdekur dhe 400 mijë të tjerë të plagosur.
Pasojat demografike janë veçanërisht të rënda për Ukrainën, ku popullsia e paraluftës ishte vetëm rreth një e katërta e popullsisë së Rusisë. Lufta e vazhdueshme jo vetëm që ka çuar në një humbje shkatërruese të jetës, por gjithashtu ka shkaktuar zhvendosje masive, duke e tendosur rëndë strukturën demografike të Ukrainës.
Sakaq, paralajmërime të reja vijnë nga Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Lideri i Bjellorusisë tha se një sulm ndaj vendit do të nënkuptonte fillimin e Luftës së Tretë Botërore. “Dua të paralajmëroj kundërshtarët tanë, rivalët tanë dhe ata që ende nuk e kuptojnë. Nuk ka nevojë ta bëjmë këtë. Një sulm ndaj Bjellorusisë është Lufta e Tretë Botërore”, theksoi lideri bjellorus, shkruan agjencia e lajmeve ruse Tass.
Ndërkohë, fakte të tjera kanë dalë në dritë për sa i përket ofensivës së Ukrainës në Kursk. Në fillim të këtij viti, komandanti i atëhershëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzhny tha se ishte kundër idesë së shprehur fillimisht nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për një ofensivë të Kievit në Kursk. Kështu shkruan “Politico”, duke cituar zyrtarë të lartë ukrainas të cilëve iu dha anonimiteti për të diskutuar mbi këto çështje.
Sipas burimeve, kundërshtimi i Zaluzhny për inkursionin ishte për faktin se mungonte një hap i dytë i qartë pasi kufiri ishte thyer me sukses nga njësitë elitare ukrainase. Zaluzhny pyeti: “Sapo të kesh plazhin, çfarë ndodh më pas?”. “Ai kurrë nuk mori një përgjigje të qartë nga Zelensky,” tha një nga zyrtarët.
360grade.al