Home Gjeo-Ekonomia Biden i zemëruar me liderin e Izraelit? Presidenti amerikan: Netanyahu nuk po...

Biden i zemëruar me liderin e Izraelit? Presidenti amerikan: Netanyahu nuk po bën mjaftueshëm për të siguruar marrëveshje për pengjet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, deklaroi se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk është duke bërë mjaftueshëm për ta siguruar një marrëveshje për lirimin e pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës nga Hamasi.

Biden theksoi gjithashtu se SHBA-ja është afër ta paraqesë një propozim përfundimtar para negociatorëve që po punojnë për arritjen e një marrëveshje për pengjet dhe për armëpushim në Gazë.

Bideni i bëri këto komente për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi forcat izraelite i tërhoqën trupat e gjashtë pengjeve të vrarë në një tunel në Gazë.

Ushtria izraelite tha se ata u vranë së voni nga militantët e Hamasit.

Vrasja e këtyre pengjeve nxiti kritika ndaj strategjisë së administratës së Bedenit për armëpushim në Gazë, si dhe rriti trysninë ndaj Netanyahut nga izraelitët për kthimin e pengjeve të mbetura në Gazë.

I pyetur nëse Netanyahu është duke bërë mjaftueshëm për arritje e një marrëveshjeje për pengjet, Biden tha: “Jo”, pa shpjeguar më shumë.

Biden tha se është “shumë afër” t’ua paraqesë të dyjave palëve një marrëveshje përfundimtare për pengjet.

“Shpresa vdes e fundit”, tha si kur u pyet nëse marrëveshja do të jetë e suksesshme.

Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris mbajtën një takim të hënën me ekipin amerikan negociuese për pengjet, gjatë të cilit Bideni shprehu “zemërim dhe pikëllim” për vrasjen e pengjeve, tha Shtëpia e Bardhë.

Kritikat e reja të Bidenit për Netanyahun vijnë në një kohë kur ai dhe Kamala Harris, e cila do të garojë në vend të tij në zgjedhjet e nëntor, përballen me thirrje të vazhdueshme për veprime vendimtare për t’i dhënë fund luftës gati 11-mujore në Gazë.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha se kritikat e Bidenit për Netanyahut nënkuptojnë se “Amerika e pranon se Netanyahu është përgjegjës për minimin e përpjekjeve për të arritur marrëveshje”.

Netanyahu, i cili e ka akuzuar Hamasin për pengimin e arritjes së një marrëveshjeje, tha në fundjavë se “kushdo që vret pengje nuk dëshiron marrëveshje”.

Qytetarët izraelitë dolën në rrugë të hënën për ditën e dytë radhazi, dhe sindikata më e madhe e punëtorëve nisi një grevë të përgjithshme, për t’i bërë trysni Qeverisë ta arrijë një marrëveshje për kthimin e pengjeve.

Negociatat, me ndërprerje të kohëpaskohshme, nën ndërmjetësimin e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit, kanë dështuar të prodhojnë marrëveshje për propozimin e shtruar nga Bideni në maj./ REL

Share: