Qielli këtu
është me re të bardha dëshirash.
Zogj apo kryqe
po fluturojnë?
Të njëjtë qenkan këtu.
Nëpër tjegullat e qytetit të vjetër
janë endur engjëj. E ndjeva.
I pashë në ëndërr.
Në mëngjes dyshemetë
ishin plot me sibila,
me histori dashurie
e gra të bukura nga e gjithë bota.
Kujdes kur të ecësh këtu,
se dëshirat paskan zbritur
në tokë!
Visar Zhiti
Siena, 4 shtator, 2024