Home Gjeo-Ekonomia Letër Kryeministrit Kurti! Nga Lis Bukuroca

Letër Kryeministrit Kurti! Nga Lis Bukuroca

Zoti Kryeministër,

në vitin 1981, kur nisëm protestat studentore në Prishtinë dhe po luftonim për barazi në Jugosllavinë e atëhershme, shkruanim për ne gazetat perëndimore si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Corriere della Sera”, ”Le Figaro”, “Times”, “Le Monde”, etj., dhe ato shkrime na i lexonte shqip Radio Tirana. Dhe, na motivonte. Na jepte guxim. Si edhe “Zëri i Popullit.”
Mirëpo, asnjë qeveri perëndimore nuk brengosej për gjendjen tonë apo për diskriminimin që po përjetonim. Ata dëshironin një Jugosllavi të qetë. Me ardhjen e Millosheviqit, Serbia braktisi patriotizmin jugosllav dhe riktheu nacionalizmin serbomadh: të Akademisë Serbe. Ky fakt shqetësoi edhe Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnjën.

Më pas, Serbia pezulloi autonominë e Kosovës dhe ne po burgoseshim masivisht, por bota na shikonte nga larg dhe vetëm aty-këtu shprehte ndonjë mospajtim formal.

Sllobodan Milosheviqi, një ultra-nacionalist dhe luftënxitës, u përball me pacifistin e madh Ibrahim Rugova, i cili ishte i pari pacifist në historinë e Europës. Në fillim, ai nuk pati shumë mbështetje. Lutjet e tij në Vatikan, SHBA, Angli, Francë, Itali e Gjermani, fillimisht nuk sollën rezultate të prekshme, por ai me filozofinë e tij, po pranohej si përfaqësues i jonë. Ky ishte suksesi i parë dhe qysh nga shfaqja e tij, nuk do të pyetej më Serbia për gjendjen tonë.

Rugova nuk ia mori vetë aleatët Serbisë, por Millosheviqi, me qëndrimin e tij anti-perëndimor, ia dërgoi mjaftë aleatë Rugovës. Çfarë ndodhi më pas? SHBA, Perëndimi, nisi të zvogëlojë Serbinë dhe dominimin serb në Ballkan. Hap pas hapi, por me këmbëngulje.

Më 25 qershor 1991 Sllovenia shpalli pavarësinë. Pas një lufte të shkurtër dhjetëditore me forcat jugosllave të dominuar nga Serbia, pavarësia e Sllovenisë u njoh. Sot është në NATO.

Më 25 qershor 1991 Kroacia gjithashtu shpalli pavarësinë, por për shkak të luftës me forcat serbe dhe serbët etnikë brenda Kroacisë, njohja ndërkombëtare u bë më 15 janar 1992. Sot është në NATO. Në këtë mënyrë, ndikimit serb iu hoqën dy republika dhe iu zvogëlua edhe dalja në det.

Më 8 shtator 1991, SHBA zvogëloi akoma më shumë ndikimin serb në Ballkan dhe Maqedonia e Veriut shpalli pavarësinë. Sot është në NATO. Iu hoqën tri republika dhe ndikimi serb vazhdoi të dobësohej dhe zvogëlohej më tej.

Më 3 mars 1992 Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë pas një referendumi të mbajtur në shkurt të atij viti. Për shkak të këtij akti, shpërtheu kryengritja e përgjakshme serbe në Bosnjë, e cila zgjati deri në vitin 1995. SHBA, Perëndimi ia hoqën në fund edhe Bosnjën ndikimit serb, duke e krijuar një Republikë Serbe, por pa lejuar ndarjen e saj.

Amerika dhe Perëndimi nuk u ndalën këtu në zvogëlimin e Serbisë, por vazhduan tutje. UÇK shfrytëzoi arritjet e Rugovës dhe pati sukses. Në vitin 1999, NATO bombardoi dhe dëboi armatën serbe nga Kosova.

Më 3 qershor 2006 Amerika e zvogëloi edhe më shumë Serbinë dhe pranoi pavarësinë e Malit të Zi. Sot është në NATO.

Më pas, erdhi George Walker Bush, dhe e shpalli pavarësinë e Kosovës në Tiranë; një gjest simbolik i ngjashëm me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali në Vlorë.

Më 17 shkurt 2008, Serbia definitivisht u zvogëlua edhe më shumë dhe u pranua nga Perëndimi pavarësia e Kosovës. NATO gjendet në Kosovë. Sot Serbia nuk guxon të rrezikojë asnjë komb rreth vetes.

Tani, zoti Kryeministër, Amerika dhe Perëndimi dëshirojnë të shpërblejë serbet e Kosovës me një autonomi, ndoshta SHBA mendon se, meqë na ka ‘dhuruar’ një shtet, ka të drejtë t’i japë diçka edhe serbëve për të “mashtruar” Serbinë dhe për të vazhduar pa probleme me zvogëlimin e mëtutjeshëm të Rusisë. Rusia duhet të zvogëlohet zoti Kryeministër, prandaj Perëndimi nuk do krizë të re.

Adem Demaçi ishte kundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë. Sot kemi shtet. Dëshira për t’u bërë hero si Adem Demaçi apo Mic Sokol mund të jetë e lavdishme në letër, por dëmet për Kosovën do të jenë në vepër.

Çudia më e madhe është se ju tani shpresoni dhe prisni të fitoni kundër Amerikës, kundër Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Anglisë si dhe kundër NATO-s. Shumë lider që kanë “pasur” dashuri të “madhe” ndaj atdheut, i kanë dëmtuar më së shumti atdhetë e tyre. Ju jeni duke ecur kokëlartë në këtë drejtim: i patrembur. Drejt murit apo duke u përgatitur për ta vënë gjoksin para topit.

Meqë Serbia, me Millosheviqin, ia dhuroi të gjithë aleatët Ibrahim Rugovës, ju tani ia kthyet të gjithë Serbisë, konkretisht Aleksandër Vuçiqit. Keni edhe pak shanse. Shfrytëzojini!

Perëndimi dhe NATO kanë bërë një punë të madhe në zvogëlimin e Serbisë dhe ndikimit serb në Ballkan dhe ajo sot është shumë më e dobët. Edhe nëse blen avionë, ajo nuk do të guxojë t’i përdorë kurrë në Ballkan. Avionët i duhen për të përgjumur popullin serb.

Dy shtete shqiptare janë tashmë faktorë të rëndësishëm në rajon. Gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është përmirësuar, edhe pse ende ka sfida dhe nevojë përmirësimi. Po ashtu, situata në Luginën e Preshevës kërkon ndryshime, por proceset janë në lëvizje dhe rezultatet do të vijnë pas pajtimit shqiptaro-serb.

T’i japim serbëve atë që kërkojnë, konform Kushtetutës, duke i lejuar të gëzojnë lirinë e tyre në mënyrën që e dëshirojnë, dhe të mbajmë anën e drejtë të historisë. Nesër Lugina mund ta pretendojë pikërisht atë autonomi. Pajtimi me pakicën serbe dhe koordinimi absolut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është fitore shqiptare. Ballkanike.

Kosova e ka firmosur Autonominë Serbe dhe e ka aprovuar Kuvendi. Takohu me amerikanët dhe serbët e Kosovës dhe nisni implementimin e asaj autonomie. Kërkoni nga SHBA dhe Europa garanci. Si pranim nga vendet tjera të BE-së dhe inkuadrim në NATO. Ne kemi dashur liri dhe serbët le ta fitojnë për vete, në emër të paqes dhe të ardhmërisë së fëmijëve tanë. Kështu, ne do të ruanim aleancën e rëndësishme me SHBA-të, e cila është thelbësore për të ardhmen dhe për stabilitetin e rajonit.

Nëse vazhdoni të besoni se do të fitoni betejën kundër Quint-it, KFOR-it dhe NATO-s, atëherë askush nuk mund t’ju ndihmojë. Atëherë keni vendosur të bëheni “Mic Sokol” dhe të fitoni kundër topit! Kryeministër, ju i duheni vendit për ndërtimin e shtetit ligjor.

Shpëtojeni Kosovën dhe vetveten!

Share: