Home KRYESORE Përsiatje rreth librit “Kohë për nuse” të Lazër Stanit

Përsiatje rreth librit “Kohë për nuse” të Lazër Stanit

Nga Irena Kuka Dragoti

Cila është koha e duhur për nuse?

Në adoleshencën time e dëgjoja shpesh mes të rriturve shprehjen: ” Është koha për nuse tani bir, ose është koha për nuse për filan djalë, a burrë që i kishte ndodh një fatkeqësi. Dukej sikur kjo kohë ishte e përcaktuar nga disa rregulla të pashkruara e kishte një limit si vijë e kuqe që nuk duhej kaluar sepse quheshe i mbetur dhe gërmohej për “të metat”.

Ky mendim më erdhi i pari, sapo më ra në dorë libri me tregime i Lazër Stanit “Kohë për nuse”. Me krijimtarinë e Lazër Stanit pata një kontakt të shkurtër në vitin 2016 e më pas rrjedha e jetës e largimi nga Shqipëria më shkëputi përkohësisht nga letërsia shqipe.

Më pas një mik i familjes më rekomandon krijimtarinë e tij e nuk ngurova…. shqiptarçe me pak fjalë, të lexoj këtë libër, më tepër se të shijoj një krijimtari doja të vërtetoj fjalët e rekomanduesit. Pak kisha gjetur veten së fundmi në prozën e shkurtër.

Shpesh kur filloj një libër përpiqem ta mbaroj sa më shpejt pasi leximi i së tërës jep një tablo më të plotë mbi autorin apo veprën e tij. Kjo ndodhi me prozën e Lazër Stanit. Intrigues rresht pas rreshti në tetë tregimet e tij aq sa kuptova se ky shkrimtar me sjellje modeste por me penë të magjishme i paska shërbyer letërsisë së vendit tim duke mos kërkuar asgjë mbrapsht prej tij, as minimumin e vëmendjes.

E them shpesh mes miqsh që nëse një vepër më përfshin në atë stad sa të më japë ndjesinë e të qenit personazh real për mua vlen, vlen shumë. A nuk duhet te jetë ky misioni i një vepre? Përpos kësaj a nuk kërkojmë vetbesimin e autorit të tretur në çdo rresht në mënyrë që të bindemi për origjinalitetin e tij? Herë i drejtpërdrejtë në narrativën e tij dinamike e herë filozofik, herë në kufijtë e monografisë e herë në dimension kombëtar, Lazër Stani vjen i zhveshur me këtë vepër nga përfitimet apo joshja e ngutshme e lexuesit, herë- herë ndoshta i ndjekur dhe nga paragjykimet për të vërtetat e tij.

-“Ne vazhduam të ecnim në errësirë nëpër një shteg të panjohur që nuk dihej se ku do na nxirrte” shkruan autori në tregimin e tij “Të magjepsurit” duke rrëfyer në vetën e parë e duke aluduar se çdo fillim tregim nisur nga titulli do ishte i tillë një shteg plot të papritura. Titull ngacmues në çdo prozë dhe duket se perdja e syve që çelet tek njeriu pak para vdekjes, në botëkuptimin e autorit ishte çelur shumë herët qysh në adoleshencë, për të parë më shumë se ata që e rrethonin, “ tmerrin e ekzistencës njerëzore në sy” – thotë autori te tregimi “Përqafim në mort” ku është tejet therës ndaj ligësisë e llogarive të dashurisë dhe sarkastik ndaj injorancës dhe hipokrizisë e të jetuarit me të.

Tregimet e Lazër Stanit anojnë nga e pathëna më shumë, për ta bërë aktiv lexuesin duke shmangur shpjegime të tepërta e pa rënë në nihilizëm. Ndikohet emocionalisht nga realiteti pa u bërë idhujtar. Këte e tregon më së miri” Përqafim në mort” kur personazhin kryesor e sjell mospërfillës e krenar ndaj arrogancës. Ai nuk i jep dot shpjegim lumturisë nga injoranca.

Çdo detaj i natyrës në prozën e tij vjen në funksion të perceptimit të klimës së një shoqërie si një cikël dramatik. Duket sikur dhe vdekja vjen për të plotësuar fatin, duket sikur anarshia e mendimeve , paguximi i veprimeve kanë mbështetjen e fatit. Duket se autori vjen nga një jetë plot eksperienca, duket se narrativa e tij është ajo e një njeriu, që ishte një hap para kohës e vendit ku jetonte. Shpesh në disa tregime ndihet të jetuarit e ngjarjes kurse te “ Pianisti” e të tjera ngre krye fantazia e tij prej shkrimtari.

Shumë nga tregimet e tij përmbajnë dialog platonian me veten, plot nëntekste që përhapin si rrathët në ujë, befasinë. Shpesh autorin e gjen të ngujuar në përmbajtjen e krijimeve të tij, letrarisht të vetëdijshëm për strukture jo të ngurtë e kapërcime të befasishme në to.

Kur Autori në prozën e tij i bindet fatit kjo nuk do të thotë se ai tërhiqet para tij, por është thjesht liria e shpirtit të tij që nuk e mposht. Ndoshta vdekja e babait të Danielës u soll në tregim për të ndaluar një dashuri e cila mund të kishte triumfuar me gjalljen e tij. Ai nuk i jep fuqi demonësh njeriut por ligjeve të natyrës.

Autorit i pëlqen të vihet përballë opinionit nëpërmjet heshtjes së tij. Ai mendon se heshtja i ka frutet më të ëmbla se poterja e kundërshtisë.

Në pamje të parë heshtja mund të duket si dorëzim p.sh. te “Pianisti” ku braktisja e Monikës, pranimi i ofertës së Pepes, martesa me të kundërtën e Monikës, Linën, por gjatë leximit lexuesi e takon heshtjen si vulosje të përbuzjes për veten apo mëshirimin e epokës kur artistit i duhet të zgjedhë mes pasionit e mbijetesës, ku artisti shpesh mbetet peng i moskuptimit të tij nga ata që e rrethojnë. Një e evërtetë e ndërlikuar sjell dramë në kurriz të artit i cili gjithmonë ndërshkon veten jo ata që e lëndojnë. Shoqëria e para e më pas individi bën spektatorin para vrasjes së ëndrrës dhe artistit në shpirt.


Ajo që më bëri përshtypje në këtë vepër ishte mungesa e kohës së ngjarjeve përjashto tri tregime ” Me sy të fiksuar pas një ylli” “Idioti udhëton për Amerikë” dhe “Daiza Zaharia” duke na lënë të kuptojmë aftësinë gjithëpërfshirëse të shkrimtarit, dhe aftësinë për të evidentuar e psikologjisur në të gjitha kohët që ka jetuar. problemet më tipike…

Në tregimin “Kohë për nuse” shohim që limiti i martesës dorëzohet mjedisit, dhe mjedisi ushqen gabimet njerëzore ku kënaqësitë seksuale kthehen në tragjedi shpirtërore brenda një familjeje. Në këtë prozë lexuesi kupton qartë problemet që ka familja e cila lundron ende mes patriarkalizmit e modernizimit të keqkuptuar. Familja mbetet gati për t’u thërrmuar sa herë bie fjala për instiktin seksual. Pse ndodh kjo?

Nënteksti i autorit ne tregim rendit arsyet nërpërmjet dialogëve baba-bir , nënë-bir e djalit me Zinën. Lexuesi kupton sa lehtësisht i thyeshëm eshte morali në një familje që në këmbë e mban absurdi i frikës nga paragjykimi.

Në prozën ”Idioti udhëton për Amerikë” sheh të shembet një kështjellë frike mbi forcën e shtetit diktatorial nëpërmjet arratisë larg tij. Një titull metaforik që vërtet simbolizon sesa çmenduri ishte idea e arratisë. Njëjtë me personazhin udhëton një libër në rusisht dhe dëshira për të marrë frymë lirshëm. Ngjarja kalon sërish ne vetën e parë, në kohën e diktaturës ku autori duket se e njeh mirë. Pritja ka fuqi shkatërruese citon fjalët e Alfred Malokut, personazhi ynë teksa e pret të arratisen.

Ajo kalon në limitet e vdekjes kurse koha është e pamjaftueshme për të pritur. Dy djem, njëri inxhinjer pyjesh kundra dëshirës e tjetri që mbaron për filozofi marksiste, në kërkim të lirisë, të mbushur me ëndrra e bagazh evropian duket sikur shpërfillin logjikën dhe pasojat e arratisë. Inxhinieri fatsjellës nga libri” Idioti” arriti në Amerikë ku fitoi lirinë por humbi përgjithmonë një mik që nga vonesa mbeti i lirë veç në shpirt dhe jetoi përgjithmonë në një vend pa liri.

Në tregimin ” Me sy të fiksuar pas një ylli” autori rrëfen në vetën e tretë. Ai nuk mund të marrë përsipër të flasë për një dhembje, që nuk ia di peshën reale. Jep konceptin e lirisë përmes dëshirës së fundit për të parë qiellin. Liria ekzistonte atje ku ishte Zoti i tyre për të cilën pushkatuesit i thanë: “ thuaj psalmin e fundit, dhe pse zotit tënd i ka vdekur nëna”. Autori në këtë rrëfim sjell kohën e ngjarjes nëpërmjet nëntekstit, luftën ndaj fesë dhe mungesën e lirisë së shkrimtarëve.

Diktatura e vënë në gojën e një pushkatuesi vjen më e egër se kurrë aq sa i tregon si medalje se është zoti i jetës, zot i lirisë së tyre. Ky rrëfim pa emra konkretë personazhesh mbështjell një regjim të tërë diktatorial ku makthi i saj fillon nga liria e fjalës e ndaj kujtdo. “Ne jemi komunistë jo vrasës”- tha më i madhi i skuadrës së pushkatimit duke i ofruar rrugën e ferrit ( të Ishte gjallë) përpara shpirtit të lirë( vdekjes). Askush nuk e shet qiellin për nëntokën.

Në librin e Lazër Stanit ”Kohë për nuse” e shohim autorin në shumë role nga mjeku, te pianisti, nga adoleshenti plot ëndrra e dashuri tek studenti nga i arratisuri te shkrimtari. Duket sikur ka kapur hallkat e gjithë shoqerisë Është aftësi që gjithë kapërcimet e tij tematike ruajnë të njëjtën gjuhë të kuptueshme për lexuesin. Me një prozë të “endur” herë nga personazhi herë nga autori, magjia vjen, si një bashkëlidhje e çasteve reale, me ato imagjinare plot denduri mendimesh, idesh, dhe figurash letrare.

Larmia narrative, të bind për një depërtim të ekuilibruar të autorit në thellësi të mendjes e shpirtit njerëzor. Narrativa në librin” Kohë për nuse” thur realitetin letrar, si dhe zbulon enigmën, na përcjell nga kufijtë e botës së brendshme të autorit, në botën e lexuesit. Nuk bëj dot qasje për stilin e tij, me autorë të tjerë pasi ne të tetë tregimet ai shfaq një stil vetjak origjinal, por them me bindje se proza e tij është prozë aktualitet.

Dialogu me veten në librin” Kohë për nuse” e sjell të plotë autorin në fjalë e artfjale, në strukturë proze dhe shprehitë e artikuluara, me një etikë e filozofi, si shenjë e tërheqjes së tij nga thellësia e vetëdijes dhe e pavetëdijes.

Në prozën ”Daiza Zaharia” autori përcjell përpjekjet e diktaturës për të zhburrëruar Pjetrin, për të shkatërruar familjen e tij, besimin në Zot. Betejat absurde të diktaturës ndaj fesë nuk kursyen as objekte e as përçues të saj si Antoni . Fati i njerëzve që e mbështetën fenë ishin njëjtë me atë të Pjetrit dhe Daizës por dhe fëmijës së palindur në barkun e saj.
Duke e futur veprën e Lazër Stanit , në rrafshet moderne dhe postmoderne nuk duhet lënë pa thënë se tregimet e librit të tij bartin replika të forta, ritmike dhe metaforike, të endura mjeshtërisht, prej frymëzimit origjinal të tij.

Brendia letrare e Lazër Stanit shoqërohet me karaktere të besueshëm, me një rrëfim tërheqës e në shumë raste, me prani personazhesh që hyjnë si silueta e formësohen befasishëm “me penela” prej mjeshtri.

“Kohë për nuse” do të thotë kohë e pjekurisë e maturisë dhe guximit për të përballur jetën. Mendoj se vepra e Lazër Stanit e ka atë pjekuri, maturi dhe guxim për të hyrë në shijet e çdo lexuesi.

Share: