Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin ka diskutuar, mes tjerash, edhe për Kosovën.
Vuçiç, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ka thënë se gjatë bisedës ka nënvizuar se “çështja e mbrojtjes, respektimit dhe përmirësimit të të drejtave të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare” në Kosovë është e rëndësisë kyçe për Serbinë.
Çështje tjetër e rëndësishme, sipas udhëheqësit serb, është “mbrojtja dhe restaurimi i trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, i varrezave ortodokse, si dhe i monumenteve të rrezikuara kulturore, veçanërisht i kishave dhe manastireve ortodokse nën mbrojtjen e UNESCO-s”.
Vuçiç ka thënë se Serbia “vlerëson lartë” qëndrimin e Selisë së Shenjtë karshi pavarësisë së Kosovës.
Vatikani është një ndër vendet evropiane që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Qëndrimi i Vatikanit është se zgjidhja në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të arrihet në dialogun që palët zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Temë e diskutimit, sipas Vuçiçit, ka qenë “vazhdimi i dialogut të rregullt politik në të gjitha nivelet, si dhe bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kishës Katolike”.
“Theksova se Republika e Serbisë është e vendosur të vazhdojë kultivimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve konstruktive me Selinë e Shenjtë, meqenëse ne i ndajmë pikëpamjet për shumë çështje ndërkombëtare, veçanërisht për mbrojtjen e të krishterëve dhe të trashëgimisë së krishterë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut të të krishterëve”, ka shkruar Vuçiç.
Sekretari i Vatikanit, Parolin, arriti në Serbi të martën e 17 shtatorit për një vizitë me rastin e shënimit të përvjetorit të 100-të të themelimit të Kryepeshkopatës së Beogradit.
Në agjendën e vizitës së Parolinit është edhe takimi me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Viteve të fundit janë zhvilluar disa takime ndërmjet zyrtarëve të Serbisë dhe atyre të Vatikanit.
Vizita e mëparshme e një zyrtari të Vatikanit në Serbi u bë më 2021 nga kryepeshkopi Paul Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhënie me Shtete.
Në një komunikatë të publikuar nga Presidenca e Serbisë thuhej se zyrtari i Vatikanit kishte deklaruar se Ballkani Perëndimor mbetet ndër prioritetet e Selisë së Shenjtë.
Sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Serbi, i kryer më 2022, 86.6 për qind e qytetarëve janë deklaruar se i përkasin besimit të krishterë, prej të cilëve 3.9 për qind janë regjistruar si katolikë./ REL