Home Gjeo-Ekonomia Shqipëria rrit sigurinë kibernetike/ ITU: Ngjitet me 23 vende në Indeksin Global...

Shqipëria rrit sigurinë kibernetike/ ITU: Ngjitet me 23 vende në Indeksin Global të Sigurisë

Siguria kibernetike në Shqipëri ka avancuar gjatë vitit 2024. Kjo vlerësohet nga Indeksi Global i Sigurisë Kibernetike ku rezulton se vendi ynë është ngjitur me 23 pozicione në renditjen botërore.

Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve aktualisht, në nivel evropian, Shqipëria ka përmirësuar pozicionin e saj nga vendi i 40-të në vendin e 30-të dhe pozicionohet në vend të 57 në botë.

Performanca e Shqipërisë është përmirësuar duke u vlerësuar me 86.51 pikë, bazuar në 5 indikacione kryesore ku është bazuar ky raport: masat ligjore, masat teknike, masat organizative, zhvillimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Ky përparim e ka pozicionuar Shqipërinë në grupin “Tier 2”, ku përfshihen shtetet që po avancojnë me shpejtësi në fushën e sigurisë digjitale. Avancimi përfaqëson vendet që kanë marrë një rezultat të përgjithshëm prej të paktën 85 nga 100 pikë duke demonstruar një angazhim të fortë kundrejt sigurisë kibernetike .

Rol në këtë përmirësim ka luajtur Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike I cili ka koordinuar zbatimin e politikave dhe masave të rëndësishme për të forcuar mbrojtjen nga kërcënimet kibernetike.

360grade.al

Share: