Përse është e rëndësishme që në epokën e teknologjisë të shkruajmë me shkronja dore?
Në radhë të parë shkrimi i dorës është thelbësor për procesin mësimor. Paraqitja e shkronjave përmes shkrimit nuk ka të njëjtin efekt si të shtypurit në tastierë. Disa studiues mendojnë se lëvizjet e duarve gdhendin ‘’gjurmë kujtese’’ në trurin e fëmijëve. Lëvizjet e duarve luajnë një rol qendror në zhvillimin e trurit dhe ndihmojnë në përmirësimin e aftësive të shkëlqyera motorike.
Shkrimi i dorës mund të na ndihmojë të përqendrohemi më mirë, gjë që është e rëndësishme për të mësuarit efektiv. Ai inkurajon të menduarit krijues dhe të lirë dhe na jep kohë për të reflektuar mbi atë që shkruajmë. Gjithashtu na siguron një shkëputje nga stimulimi i vazhdueshëm digjital, i cili mund të zvogëlojë lodhjen mendore dhe të përmirësojë mirëqenien tonë.
Vëzhgimi i dorës së mësuesit teksa formon një shkronjë përbën bazën që e njëjta lëvizje të pasqyrohet dhe të lindë edhe në trurin e fëmijës. Gjithashtu shkrimi i dorës zhvillon aftësi të rëndësishme për të gjitha lëvizjet precize dhe funksionet se si mbahet dora. Ky proces ka rezultuar të jetë i rëndësishëm për të gjithë procesin shkollor.
Meqenëse bukurshkrimi përbën në vetvete një ecuri më të ngadaltë se tastiera nxit nxënësin të formulojë sipas mënyrës së tij, gjë që mund të ndikojë në të menduarit më të lirë dhe më kreativ. Shkrimi personal është ndër të tjera, një tipar i rëndësishëm i dimensionit të identitetit të dikujt.
Marrja e shënimeve me shkrim dore kur dëgjojmë përmbajtjen e një mësimi a bëjmë konspektin e një vepre apo leksioni të caktuar, nënkupton që ne filtrojmë dhe modifikojmë automatikisht informacionin. Shkrimi i dorës forcon aftësinë për të përforcuar kujtesën dhe shoshitur materialin.
Për më tepër, ai zhvillon inteligjencën, prakticitetin dhe mjeshtërinë tonë duke na forcuar vetëbesimin. Po të marrim shembull zejet dhe zanatet e ndryshme do të kuptojmë se ato janë kombinim i duarve dhe i intelektit. Kjo forcon besimin e gjithkujt në realizimin dhe përballimin efektiv të detyrave të përditshme dhe pasioneve të tij.
Shumë ekspertë të arsimit kanë theksuar rëndësinë e shkrimit të dorës si për shembull, studimet nga studiuesit në Universitetin Princeton dhe Universitetin e Kalifornisë kanë treguar se studentët që shkruajnë me dorë priren të kuptojnë dhe mbajnë mend informacionin më mirë sesa ata që shkruajnë në kompjuter. Përveç kësaj, studimet neuroshkencore kanë treguar se shkrimi i dorës aktivizon zonat e trurit të lidhura me kujtesën dhe të mësuarit.
Si përfundim mund të themi se shkrimi i dorës ka një sharm të veçantë që teknologjia nuk mund ta zëvendësojë plotësisht, përveç përfitimeve për trurin, kujtesën dhe fokusimin.