Home KRYESORE Gardh metalik para derës së Kuvendit/ Merren masa para nisjes së seancës...

Gardh metalik para derës së Kuvendit/ Merren masa para nisjes së seancës plenare, opozita pritet me të njëjtin skenar

Një gardh metalik është vendosur para derës së Kuvendit.

Garda po merr masa disa orë para nisjes së seancës plenare, pasi pritet që opozita të vijojë me të njëjtin skenar.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, ka reaguar përmes një videoje, ndërsa po zhvillon mbledhje ne selinë blu.

“Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes! Dera kryesore e tij e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë. Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”! Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.

Në oborr janë pozicionuar zjarrfikës, makina policie dhe efektivë për të shmangur tensionet që pritet të ndodhin.

Një gardh metalik është vendosur në derën kryesore, ku është pozicionuar edhe Garda.

Opozita pritet të vijojë me të njëjtin skenar si në dy seancat e kaluara, ku dogjën karriget e tyre dhe bllokuan socialistët që të hynin në seancë plenare.

Top Channel

Share: