Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Një parti e re u krijua sot. Numri 139. E pesta në...

Një parti e re u krijua sot. Numri 139. E pesta në gjashtë muajt e fundit dhe…

Nga Afrim Krasniqi

… e katërta brenda grupit parlamentar të PD të zgjedhur më 2021. Dhe me siguri do të ketë edhe të tjera. Deri tani Berisha, Basha, Alibeaj dhe Shehaj do të kenë partinë e tyre. Nga ana tjetër, e majta mbetet solide; të pakënaqurit/të mënjanuarit aty ndërtojnë pallate/kulla/resorte, jo parti.

Mesazhi? Krijimi i partive të reja për shkak të mosmarrëveshjeve personale nuk e bën Shqipërinë më pluraliste dhe as më demokratike. As unifikimi i partive me zërin/figurën/pasionet e kryetarit apo refuzimi nga kryetari për tu votuar në parti prej vitit 2009 nuk e bën Shqipërinë më pluraliste dhe as më demokratike.

Dy dukuritë janë tregues se partitë politike kryesore nuk janë demokratike dhe as garantuese të pluralitetit të mendimeve dhe se elitat politike që dolën në fazën e parë postkomuniste janë të paafta të ndërtojnë një demokraci funksionale të bazuar në vlera, meritokraci dhe alternativa zhvillimi. Rregulli i pashkruar mbetet: ata që mendojnë ndryshe përjashtohen, emri i tyre hiqet nga lista e kandidatëve në zgjedhjet e radhës, paaftësia për lidership vizionar në grup ka krijuar modelin e liderit që udhëheq turma dhe kult individi; kryetari nuk largohet kurrë përveçse kur dëshiron vetë apo vendos ai lart.

Dhe ky model i deformuar i oligarkisë politike, të bazuar te kulti i udhëheqësit / antivlerat / personalizimi dhe mbajtja peng e progresit, edhe për shkak të mbipushtetit të partive, siç ishte e pritshme të ndodhte, është bërë kulturë mendimi/veprimi në institucione, në qeverisjen vendore, në entet publike, në universitete, në akademi, në media, në shoqata dhe deri tek urdhrat e organizuara mbi bazë profesionale.

Pluralizmi politik dhe eksperimenti demokratik nisën në dhjetor 1990, por demokracia funksionale, shteti i së drejtës, shoqëria e hapur dhe kultura qytetare e bazuar në vlera e standarde morale mbeten ende premtime të papërmbushura dhe sfida.

Share: