Home KRYESORE Njoftime pune! Nga Gladiola Busulla

Njoftime pune! Nga Gladiola Busulla

Lexoj njoftime pune, teksa mbaj në dorë filxhanin tim gjigant, ku pluskojnë avujt e kafesë. Njoftimet renditen bukur, rrjedhshëm, qartë.

Nevojten inxhinierë të përgatitur dhe të kualifikuar. Përse vallë? Bëhem kurioze vërtet. Dhe kafenë gjerb me gllënjka të mëdha, e etur për shijen e saj.

Ku mbeta? Ah, po! Tek inxhinierët! Ata duhet të krijojnë armë më të sofistikuara, më të shpejta, më të rrezikshme se kurrë më parë, për të vrarë akoma më shumë njerëz, më shumë fëmijë, për të shkatërruar miliona jetë, për të shkërmoqur miliona ëndrra, miliona dashuri.

Kafeja u vesh me një tis të purpurt. Po kjo tani?!
Vazhdoj të lexoj. Duhet të trajnojmë kimistë, shkencëtarë, projektues, teknikë informacioni, më shumë staf logjistik e operacional. Industria ka nevojë të pasurohet me teknika të reja, të shpiken modele të veçanta për të shuar bukurinë e botës, të peizazheve, të shkollave, të bibliotekave, të stadiumeve, të muzeve, të spitaleve.

Paradoksi tjetër! Njerëzimi paguan taksa për t’ u ekzekutuar frymëmekur, pa mëshirë, me ose pa bujë, nën duhmën e lakmisë që dhe mbreti Midas do e kishte zili. Ne paguajmë për t’u shkatërruar më shumë, më mirë, në forma të përparuara që na serviren si teknologjia e fundit.

Sistemi i armëve snajper i rikonfiguruar XM2010. Një karikator me dhjetë plumba të kalibrit 300 Winchester në një distancë maksimale prej 2 km e bëjnë këtë snajper zotin e vdekjes. Filxhani gjigant dridhet. Dora ime duket krejt e vogël për të.

Njeriu i shekullit XXI mbetet i pangopur, i paepur, kurioz, gjakatar, me të njëjtat nevoja biologjike, duke luftuar çdo ditë për mbjetesë, duke krijuar armë, mjete pune dhe artefakte, idem si njeriu i shpellave.

Na jep një planet tjetër o Zot, se këtë e shkatërruam mjaftueshëm!

E lë filxhanin tim mënjanë. Sa e hidhur kjo kafe ! Gulçonte si dhembja, shijonte si loti, erëmonte si ato kufomat e pakallura në një sfond rrëqethës, plot krakëllima korbash.

Psherëtima ime për pak sa s’më mbyt… Lexova mjaftueshëm për sot.

Share: