Home KRYESORE Përgjithmonë! Përktheu Gladiola Jorbus

Përgjithmonë! Përktheu Gladiola Jorbus

Mario Benedetti (1920-2009) ishte një shkrimtar, poet dhe romancier uruguaian. Veprat e tij përfshijnë zhanre të ndryshme, si: rrëfim, poezi, ese dhe teatër. Stili i tij është i kapshëm dhe trajton tema të përditshme dhe njerëzore me shumë ndjeshmëri dhe thellësi.

Për më tepër, Benedetti ishte një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe luajti një rol aktiv në politikën uruguaiane. Gjatë gjithë jetës së tij, ai shkroi për luftën për drejtësi sociale dhe demokraci në Amerikën Latine. Trashëgimia e tij letrare vazhdon dhe ndikimi i tij në letërsinë dhe kulturën e Amerikës Latine mbetet i rëndësishëm.

Përgjithmonë

Nëse smeraldi do të shuhej,
Nëse ari do të humbiste ngjyrën e tij,
atëherë do të shuhej
dashuria jonë.

Nëse dielli nuk do të ngrohte,
Nëse hëna nuk do të ekzistonte,
atëherë nuk do të dija
ç’ do të thotë të jetosh në këtë tokë,
pasi nuk do të kishte kuptim
të jetoja pa jetën time,
gruan e ëndrrave të mia,
atë që më jep gëzim…

Nëse bota nuk do të rrotullohej
ose koha nuk do të ekzistonte,
atëherë nuk do të vdisja kurrë
nuk do vdiste kurrë
as dashuria jonë…
Por koha nuk është e nevojshme
dashuria jonë është e përjetshme.
Nuk kemi nevojë për diellin
as për hënën apo yjet
që të vazhdojmë
ta duam njëri-tjetrin…

Nëse jeta do të ishte ndryshe
dhe vdekja të mbërrinte
atëherë do të të doja
Sot, nesër…
përgjithmonë…
Ende.

Share: