Home Gjeo-Ekonomia Progres-raporti, Konjufca i ashpër: BE diskriminuese për Kosovën

Progres-raporti, Konjufca i ashpër: BE diskriminuese për Kosovën

Një draft i Raportit të Progresit i publikuar të hënën, kërkon nga Kosova zbatimin e marrëveshjes bazike për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Specifikisht, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës nisjen e procedurës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Bashkimit Evropian.

Por, për partinë që udhëheqë me qeverinë e Kosovës kjo qasje është diskriminuese. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që është edhe nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje të hënën tha se BE-ja nuk mund ta kushtëzojë Kosovën të procedojë përpara me draftin e propozuar nga blloku.

“Me ia imponu Kosovës në këtë mënyrë me thanë ky është dokumenti dhe vetëm ky 20 faqësh dhe nuk ka tjetër dhe vetëm ky duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese mendoj që jo vetëm që nuk është fer ndaj Kosovës por mendoj se është një qasje shumë diskriminuese e Bashkimit Evropian i cili Kosovën e trajton si një joshtet”, tha Glauk Konjufca.

Ndërkohë opozita ka kritikuar qeverinë për qasjen në dialog duke kërkuar respektimin e zotimeve të krerëve të shtetit dhënë partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe zotimin për themelimin e Asociacionit.

“I pamë dy Glauka, e pamë Glaukun e vitit 2023 fiks në tetor, ku thotë se duket që asociacioni, flet në terma afirmativ që është në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe nuk e thotë qëndrimin që e ka tani që po imponohet”, tha Abelard Tahiri.

“Kësaj qeverie para dy vjetëve i kemi thënë që Kosova e ka obligim dhe duhet ta marrë nismën vet, a e dini çka ka thënë kryeministri, kjo është tradhti shtetërore”, u shpreh Arben Gashi.

“Kjo letër e marsit të këtij viti ku të tre krerët e shtetit zotohen për themelimin e asociacionit, cka doni më shumë se tre nënshkrimet e kryeministrit presidentes dhe kryeparlamentarit që zotohen për themelimin e asociacionit”, deklaroi Besnik Tahiri.

Bashkimi Evropian në tetor të vitit të kaluar ua ka dorëzuar palëve një draft të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe sipas raportit të progresit është i bazuar në shembujt më të mirë evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Top Channel

Share: