Home Gjeo-Ekonomia “Shtet bektashi, pa humbur kohë”/ Baba Mondi: I kemi kërkuar qeverisë çuarjen...

“Shtet bektashi, pa humbur kohë”/ Baba Mondi: I kemi kërkuar qeverisë çuarjen përpara të kësaj ideje

Kryegjyshi botëror i Bektashinjve Edmond Brahimaj thotë se ideja e krijimit të një shteti Sovran të urdhrit Bektashi duhet të shkojë përpara pa vonesa.

Në një intervistë për median izraelite “The Jerusalem Post” baba Mondi thotë se kryegjyshata po zhvillon strategji lidhur me zbatimin e këtij plani, por shton se fillimisht qeveria duhet të miratojë ligjin duke ndryshuar statusin.

I pari i Bektashinjve ka folur edhe për konfliktin në lindjen e mesme ku e ka quajtur vëlla popullin izraelit, por ka theksuar se ata që udhëheqin kombet duhet t’i kenë frikën Perëndisë.

Avancimi i idesë për krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi e ritheksuar nga kryeministri Edi Rama edhe gjatë fjalës të mbajtur në OKB, vijon të marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. E fundit është gazeta izraelite The Jerusalem Post, stafi i së cilës për të mësuar më tepër rreth kësaj ideje ka shkuar në selinë e kryegjyshatës botërore në Tiranë për një intervistë ekskluzive me të parin e bektashinjve Baba Mondin.

Udhëheqësi shpirtëror dhe fetar i bektashinjve, Baba Mondi, është personi që ka promovuar idenë e krijimit të një “Vatikani” bektashian në Tiranë shkruan gazeta në artikullin me titull  “Vëllezër të popullit të Izraelit”. Për  “The Jerusalem Post”, haxhi dede Edmond Brahimaj  thotë se kërkon çuarjen përpara të kësaj ideje pa asnjë vonesë.

“Shteti shqiptar gëzon të drejtën e aprovimit të ligjit për këtë çështje.  Më pas ne do t’i drejtohemi komunitetit ndërkombëtar duke i kërkuar njohjen. Ne duam të kemi një status diplomatik në botë duke u njohur si “Qendra Botërore e Bektashinjve”. Qendrat e komunitetit tonë në të gjithë botën do të jenë pjesë e “Qendrës Botërore”. Ne po zhvillojmë strategji të ndryshme në lidhje me zbatimin e këtij plani. Por fillimisht duhet që qeveria e Shqipërisë të miratojë ligjin duke ndryshuar statusin tonë.” , ka thënë Edmond Brahimaj, kryegjyshi botëror i Bektashinjve.

Baba Mondi i është përgjigjur edhe pyetjeve mbi situatën e tensionuar në lindjen e mesme. Ai shprehet se feja nuk shkakton luftë, ajo nxitet nga egoizmi që përdor fenë për të krijuar luftëra.

“Udhëheqësit fetarë të botës duhet të bashkohen, jo të përçahen dhe të luten së bashku për paqen. Ata që qeverisin kombet duhet t’i kenë frikën Perëndisë.”, ka thënë ai.

Kryegjyshi botëror i bektashinjve ka rrëfyer se e ka vizituar disa herë Izraelin dhe shpreson ta shohë sërish së shpejti. Ndërsa thotë se e konsideron veten vëlla të popullit izraelit.

“Bektashinjtë janë një komunitet që i do njerëzit pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë, çfarë feje i përkasin, ngjyrën e lëkurës apo politikën e tyre. Ne i konsiderojmë ata si vëllezër dhe motra.”, shprehet ai.

/abcnews.al/

Share: