Home KRYESORE Strategji për të nxitur leximin për të kuptuar: Përgatiti Gladiola Jorbus

Strategji për të nxitur leximin për të kuptuar: Përgatiti Gladiola Jorbus

Ata që nuk lexojnë do të jetojnë veç vitet e jetës së tyre, ndërsa ata që lexojnë do të jetojnë 5000 vjet: ata ishin aty kur Kaini vrau Abelin, kur Romeo e donte Zhulietën, “sepse ta lexosh është pavdekësi “, – ka shkruar Umberto Eco.

Hulumtimet tregojnë se të lexuarit për të kuptuar ndikon në aftësinë për të marrë njohuri në të gjitha lëndët shkollore. Sipas Agjencisë Kombëtare Suedeze për Arsimin, të lexuarit për të kuptuar është thelbësor për aftësinë e nxënësve për të marrë njohuri në të gjitha lëndët gjatë viteve të tyre shkollore.

Gjatë viteve të para të shkollës, nxënësit duhet të zhvillojnë një kuptim më të thellë të llojeve të ndryshme të teksteve. Kjo është e rëndësishme sepse të kuptuarit e mirë të leximit, jo vetëm që i ndihmon ata të kuptojnë dhe të mësojnë lëndë të reja, por edhe të marrin pjesë në shoqëri dhe të mbështesin vlerat demokratike.

Një nxënës që lexon dhe e shijon leximin mund të lexojë jo vetëm për relaks dhe kuriozitet, por edhe për të zhvilluar të menduarit kritik. Çdo nxënësi i nevojitet të lexuarit për të marrë informacion dhe kështu që ai do të nxitet vazhdimisht:

• të formulojë pyetjet e veta për tekstin gjatë leximit
• të monitorojë dhe të vlerësojë të kuptuarit e tekstit
• të përmbledhë tekstin
• t’u përgjigjet pyetjeve rreth tekstit
• të përvijojë historinë/përqëndrimin në strukturën e tekstit
• të bëjë harta konceptesh dhe mendimesh
• të përpunojë tekste së bashku me shokët e klasës
• të aktivizojë njohuritë e sfondit
• të krijojë imazhe mendore të një teksti.
Ndihma për nxënësit që kanë vështirësi në kuptimin e të lexuarit mund të bëhet në disa mënyra. Këtu janë disa strategji që mund të jenë efektive:

Përshtatja individuale:
Përshtateni materialin me nivelin dhe interesat e nxënësit për ta bërë leximin më tërheqës.
Përdorni lloje të ndryshme tekstesh, si tregime, tekste argumentuese, poezi, fabula, medie digjitale etj.
Strategjitë e leximit:

Mësojuni nxënësve strategji specifike leximi, të tilla si: parashikimi i përmbajtjes, bërja e pyetjeve gjatë leximit dhe përmbledhja e asaj që kanë lexuar.
Nxitini ata të përdorin imazhe (përmes internetit) dhe të krijojnë a përshtasin tituj për të kuptuar më mirë tekstin.

Leximi në grupe të vogla:
Punoni në grupe të vogla ku nxënësit mund të diskutojnë tekstin dhe t’i drejtojnë pyetje njëri-tjetrit.
Përdorni leximin në role ku nxënësit të lexojnë së bashku dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin të kuptojnë tekstin.

Mbështetje:
Siguroni mbështetje duke punuar individualisht me nxënësit përmes mjeteve diagnostikuese si: vëzhgimet – mësuesit mund t’i vëzhgojnë me kujdes nxënësit në klasë për të identifikuar sjelljet dhe modelet që mund të tregojnë nevojën për mbështetje;
bisedat dhe takimet – duke folur me nxënësin, prindërit dhe mësuesit e tjerë, mund të fitohet një kuptim më i thellë i nevojave dhe sfidave të nxënësit;
sondazhet – këto mund të përdoren për të mbledhur informacion në lidhje me mirëqenien e nxënësve në shkollë, të cilat mund të ndikojnë në të nxënit e tyre për të identifikuar fusha specifike ku nxënësi ka nevojë për ndihmë.

Motivimi dhe rritja e vetëbesimit:
Inkurajoni dhe lavdëroni nxënësit për përparimin e tyre, sado i vogël.

Krijoni një mjedis mësimor pozitiv dhe mbështetës, ku nxënësit ndihen të sigurt për të bërë gabime dhe për të mësuar prej tyre.

Sipas rezultateve të PISA 2022, Shqipëria ka një vlerësim prej 358 pikësh në të lexuarit për të kuptuar. Kjo është një shifër më e ulët se mesatarja e OEEC (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik Evropian) prej 476 pikësh. Shqipëria renditet ndër vendet më të ulëta për sa i përket të lexuarit për të kuptuar, duke treguar se ka ende sfida të konsiderueshme në këtë fushë, referuar studimit të mësipërm (Albania Student performance / PISA 2022).

Share: