Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha të premten në Beograd se Turqia dhe Serbia do të punojnë së bashku për zhvillimin e industrive të tyre të mbrojtjes dhe se dronët turq do të jenë pjesë e bashkëpunimit dypalësh.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Beograd, gjatë së cilës tha se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Serbisë janë në kohërat e tyre të arta. Presidenti Erdogan tha se me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç kanë shkëmbyer pikëpamje për çështjet globale, por edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe në rajon.
“Ne nënvizuam edhe një herë rëndësinë e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan. Në këtë kuadër është e rëndësishme t’u qasemi me mendje të hapur tensioneve të fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Edhe një herë, konfirmuam vendosmërinë tonë për të mbrojtur qëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse Bosnja është politikisht shumë e cenueshme dhe kjo duhet të ndryshojë sa më parë që të jetë e mundur. Mendoj se Serbia do të luajë një rol konstruktiv për këtë”, tha Presidenti Erdogan.
Udhëheqësi serb e siguroi atë se Beogradi do të mbështesë tërësinë dhe sovranitetin e Bosnjës por edhe tërësinë e Republikës Serbe brenda saj.
Të dyja vendet nënshkruan të premten një sërë marrëveshjesh ndërsa vunë theksin te bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
“Turqia dhe Serbia duhet të bëjnë një hap së bashku dhe ky hap është krijimi i një industrie të mbrojtjes për të siguruar ruajtjen e paqes”, tha Presidenti Erdogan, duke nënvizuar se “mundësitë e Turqisë në fushën e dronëve do të jenë pjesë e hapave në industrinë e mbrojtjes”.
Kërkesa ndërkombëtare për dronët turq, kryesisht dronët Bayraktar është rritur pas ndikimit të tyre në konfliktet në Siri, Libi, Azerbajxhan dhe Ukrainë. Kompania prodhuese e këtyre dromëve, Baykar, ka thënë se ka nënshkruar marrëveshje eksporti me rreth 30 vende, përfshirë Arabinë Saudite, Ukrainën, Etiopinë, Kosovën dhe Poloninë.
Të enjten, gjatë vizitës së Presidentit Erdogan në Tiranë, kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se Ankaraja do t’i japë Tiranës një numër “të konsiderueshëm” dronësh kamikaz por pa treguar sasinë apo llojin e tyre./ VOA