Versus
Pemët murmurisin në një gjuhë të pakuptueshme.
Njerëzit nguten larg tyre, a thua
se janë qenie me bisht, thundër e brirë.
Krejtësisht alergjikë ndaj polenit dhe botës organike,
rendin drejt shëtitoreve të gjata,
ku shtillen thashethemnajat rreth jetës së luksit,
dhe manekinët bashkëkohorë shndrijnë
nga aksesorët firmato, nga gardërobat e shtrenjta
(faktorë përcaktues të koeficientit të inteligjencës humane).
Në skajet e mbrëmjes, ajri i vesh bisedat vanitoze
me aromën e një snobizmi të sëmurë.
Dhe shija e dehidratuar e homosapiensit,
ëndrrat shkërmoq – në hapësirën tektonike
të shpirtrave të shformuar e të mendjeve boshe.
Dinjiteti struket, qëndron mënjanë, pret të shuhet…
si drita e shterpët e një meteori, që kurrë – s’u bë yll.