Home Gjeo-Ekonomia “Zgjerimi forcon BE-në”, Varhelyi: Rama do propozojë komisionerin e parë shqiptar, më...

“Zgjerimi forcon BE-në”, Varhelyi: Rama do propozojë komisionerin e parë shqiptar, më kujtohet biseda telefonike…

Komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi ka deklaruar në Luksemburg se zgjerimi forcon Bashkimin Europian. Ai ka theksuar se kryeministri Edi Rama do të propozojë komisionerin e parë shqiptar dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm.

Varhelyi është kthyer pas në kohë, kur ka kujtuar bisedën me Ramën, pasi tërmetit të fuqishëm që u shënua në vendin tonë dhe nga aty nisi gjithçka, çdo përpjekje drejt BE.

“Doja po kështu të falënderoja presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin, jo vetëm si përparësi politike, por po kështu duke i kushtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e për të shtyrë përpara procesin institucional, çka nënkupton që të merren të gjithë vendimet e nevojshme, të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara edhe drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Është e padiskutueshme tashmë mendoj, për BE-në dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Është mes këtyre tre përparësive sepse pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që Bashkimi Europian të bëhet më i fortë.

Krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Më kujtohet shumë mirë dita e parë në detyrë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Rama në mëngjes herët sepse ishin përballur me një tërmet shkatërrues, tërmet me shkallë Rihter 6,4 ballë. Ndërhymë menjëherë në përpjekje për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi dhe pjesën tjetër të mandatit dhe jo vetëm i dha formë mandatit, por solli po kështu, një qasje të re sepse ajo çka trashëgova nga Komisioni Juncker dhe kryeministri e përmendi tashmë ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur sesa një portofol. Kishim tre përpjekje të dështuara për të arritur marrëveshje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte pika nga duhet ta filloja dhe në thelb u desh që politika e zgjerimit të ngrihej, më së pari, në këmbë dhe pastaj të merreshim me integrimin e mirëfilltë që do të thotë të dinim sesi do të arrinim ekonomi të ngjashme, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor edhe përpara sesa të ndodhë anëtarësimi dhe kjo u bë përmes Planit Ekonomik të Investimeve.

E para ishte të hartonim një metodologji të re dhe pastaj i treti është edhe plani i rritjes, që tashmë po e përshpejton zgjerimin dhe për të bërë të mundur që në fund të mandatit të Komisionit të ardhshëm, ne të mund të shohim kryeministrin Rama që të emërojë dhe Komisionerin e parë apo të japë propozimin e vet për Komisionerin e parë në Komision.

Kur diskutoja me kryeministrin planet e mia dhe i thoja që “Mendoj se mund të bëjmë maksimumin”, ai më shihte, nuk e njihnim njëri-tjetrin, por më shihte, si ta them, me një nivel modest pikëpyetjeje nëse kjo do të ishte e mundur dhe është e mundur. Është e mundur sepse Shqipëria ndërmori një qasje të re kur vjen fjala për t’i bërë gjërat dhe kjo qasje e re do të thotë të mos druhet të bëjë gjithçka është e nevojshme, përfshirë edhe në terren.”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al

Share: