Nga Gladiola Jorbus
Në hijen e palëvizshmërisë,
e mbushur me këngën e mallit,
flladitet një klithmë pëshpëritëse.
Kujtimi yt, si vjeshtë
më është qëndisur pas shtatit.
Nuk e belbëzoj më emrin tënd,
as fjalët që më sjellin aromën tënde,
nuk e duroj dot më heshtjen
kur fshihesh në mendimet e mia.
Një mjegull e errët mbështjell gjithësinë.
Babëzisht ia nis të gëlltisë
plima përqafimesh shtegtare,
copëza imazhesh lumturie,
lamtumirat e pathëna.
Dhe ëndrrat e pambukta
Trishtueshëm shugaten në unison
përtej horizontit të largët…