Nuk të flas dot për të dikurshmen time
është fati që e quaj të pafajshëm
dashuria që mësova duke pranuar
se dita e harrimit i vjen si profeci.
Është mall që rrjedh nga rrugicat e fëmijërisë
si qilimi fluturues i Simbad detarit.
qiell i zbrazur nga hapat
që më kujton të parin libër dhuratë
atë me ilustrime
dhe pse nuk ishte ditë rrogash,
as ditëlindje…
Mos më kërko të flas për të shkuarën
sepse nënkuptoj Babanë
ndërtonte sy shprese për të parë më larg
se rruga e humbur e halleve
nënkuptoj Nënën
kufirin e fundëm të dashurisè;
aromën e motrave kur vizatonim nj-tj
me duar të rriturash
Filtroj kohën në klorofil pishe
për vellezërit, flatrat mia prej besimi
Ndaj nuk të flas dot për të shkuarën
dhe pse shtegu nga agoj çdo ditë
I këndoj ninulla t’ia puthit qepallat,
e të përgjum atë që nuk di…