Home KRYESORE Beqir Hamza pishtari i nxëdijes në Kukës

Beqir Hamza pishtari i nxëdijes në Kukës

Nga Azem PARLLAKU

Francezët, një prej popujve më të edukuar në Europë kanë një shprehje të tyren “Mësuesi dhe gjyshja janë deputetët e një populli”. Ndonëse e provuar sipas kontekstit francez, “kjo këshillë burimore”, nuk rezulton të vlejë vetëm për ata, përkundër, ajo është kaq e përbotëshme.

Na ndodh shpeshherë e krejt natyrshëm të flasim për ata mësonjësit tanë. Sa herë na duhet t’i kujtojmë, tanimë si të rritur, prapë dukemi “kaq të vegjël” Kurrësesi nuk dua të kërkoj, ndonjë frazë lapidare për këtë përshkrim!  

Dhe e dini pse?  

Është kaq fisnike e thjeshta, ndërsa rrugëtimi tek ky përshkrim, mjafton për të matur shtatin e kalorësit tonë.Që Beqir Hamza (Beqa) (1912-1978), të shkëlqej si mësonjës, më shumë se çdo gjë mund të ketë qenë dëshira dhe afshi për nxëdije e qindra njerëzve, për të cilët ai nuk kish reshtur së punuari.

Për Beqir Hamzën, këtë personazh kaq të dashur në Novosej vendlindja e Tij, mundësia e jetës dhe mosjetës u venduan kaq pranë njëra-tjetrës, sa nuk lypej veç një hap për të bërë kapërcimin.Fati e deshi që për të mbeturin jetim në moshën 3-vjeçare, të kujdeseshin xhaxhallarët e Tij.  

Ka shumë gjasë që ajo çfarë ai fëmijë, ka parë në gjumë dhe ditën të ketë qenë ëndrra, ajo ëndrra për jetën dhe dijen. Është e padiskutueshme që kalorësi ynë e sulmoi vetë vdekjen, duke u shndërruar një nxëdijës plot kureshtje fillimisht në atë shkollën e teologjisë, atë kohë quhej “Mejtep”, e më pas në shkollën fillore në Shishtavec.

Këtë burrë fisnik, siç e kanë njohur dhe tregojnë, e ka karakterizuar ajo thjeshtësia proverbiale dhe kërkesa këmbëngulëse për të mbajtur të gjallë, e për ta trashëguar pasionin e mësuesisë.Nëse të duhet, e rend në gjurmët e këtij portreti, lehtësisht ke kuptuar që Beqir Hamza, është ai portreti me një sharm shpirtëror të natyrshëm, një njeri i punës, një tjetër përfaqësues i fisnikërisë së pabujshme novosejase.

Në shkollat e gazetarisë ka disa konceptime për komunikimin, por ai që zotëron është ai nëpërmjet veprimit. Kështu mësuesi ynë, që në rininë e Tij, u vetedukua të jetë aktiv, duke punuar, njohur e bërë miq në Vlorë, Tiranë, Kavajë e Fier.Është koha kur ai të jetë njohur dhe të ketë lexuar literaturën në qarkullim, ashtu të paçensuruar.  

Koha kur ai sigurisht duhet të ketë kuptuar sa e dëmshme qe njohja e gabuar e gjërave.Kështu njeriun të cilin fati e kishte projektuar për t’i njohur, jo në mënyrë të gabuar gjërat, po ai fati e ul në bangat e shkollës tregtare në Vlorë.Ndërsa fati po e ndihmonte të riun të shkollohej, ishte shëndeti ai që në vitin 1940 ta detyronte atë të kthehej në vendlindjen e Tij.
Ai ish kthyer shëndetlig, por rrezatonte një formim kulturor të gjithanshëm.Është koha kur përsëri, duhej bërë një kapërcim, ai kapërcim si nyjë lidhëse, e cila ka një ngarkesë simbolike pozitive, që tshmë e shndërron kalorësin tonë në një pikë të rëndësishme referimi, për të gjithë prindërit tanë, ne, e atyre që do të vijnë më pas. Herët a vonë, Beqir Hamza e dinte që koha kur atij i duhej të rrezatonte, do të vinte.

Nëse cilido nga ju lexues, keni lexuar nga Leon Tolstoi, ma do mendja që mund t’ju ketë lënë mbresë, ajo historia. “Mme shqiponjën e cila arratiset pas një robërimi të gjatë dhe kthehet tek të vetët. Mirëpo, ajo në njërën nga kthetrat e saj ka një shenjë të robëruesit, një unazë. Është pikërisht ajo shenjë që bëhet shkaktare që fisi i shkabave, në vend që ta presë me mall shpendin e ikur, e pret me ftohtësi si të huaj”
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare këtë legjende e ka quajtur ballkaniko-kaukaziane. E qasa këtë fakt, për të kuptuar se Beqir Hamza u kthye tek të vetët, “robëria” e Tij nuk ishte gjë tjetër veçse lufta për jetën, “unaza” e Tij, ishte formimi kulturor dhe pasioni për dijen, të vetët e pritën ngrohtë, plot mall dhe e përkrahën.

Ky ishte dhe fati i veçantë, që e priste vendlindjen e tij dhe atë të zgjedhurin.Dhe ja kur erdhi 13 Dhjetori i vitit 1944, ditë kjo kur mësonjësi Beqir Hamza çel dyert për herë të parë, të shkollës në Novosej. Të vetët, ai popull i etur si nxëdijës mbipopullojnë klasat, e kështu mësuesit të tyre të parë, i duhet të punojë natën dhe ditën. Tashmë ajo çfarë ai kish parë në gjumë dhe ditën si fëmijë ishte rituali, që do e shoqëronte gjer në frymën e fundit.  

Nuk ka arsye të ketë ndodhur ndryshe! Mësuesi Beqir Hamza, do të ketë patur një pakt të heshtur të Tij si mësues dhe të gjithë atyre që ai i pati nxënës. “Unë jap maksimalisht, ti përfito po kështu maksimalisht”. Këtë pakt koha e tregoi sesa premtues kishte qenë.  Me dhjetra ish-nxënës të mësuesit Beqir, u bënë mësuesit tanë më vonë. Ai pakt në heshtje u transmetua, për të dëshmuar shpirtin dhe pasurinë intelektuale, që Novosej ka sot.  

Ndërsa drejtori i Shkollës 9-vjeçare në Novosej Abedin Noka, shkollë e cila nga 6 Maji i vitit 2001 mban emrin “Beqir Hamza”, në shënimet e tij kujton; “Herë i dashur, i çiltër, i rreptë, portat e dijes tuj hapë, doçkat tona me radhe, sa herë në karta ke hapë.” Në krye kam thënë se; “Për ta humbur, apo fituar një betejë duhet ta kesh kryer atë”. Beqir Hamza, ky “kalorës i dijes”, e fitoi betejën. Jetshkrimi dhe frytet e punës së tij, janë një dëshmi e gjallë.

Një mendje e shëndetshme, pa kurrfarë droje me të drejtë mund dhe të definojë;  

Beqir Hamza i është deshur brezave që edukoi, si një udhërrëfyes i devotshëm për tek dija. Ndoshta ai mund të bënte diçka tjetër në jetë, por vendlindja e Tij Novosej dhe brezat që mësoi nuk do të bënin dot pa atë.

Share: