Nga Gladiola Busulla
I dashur Babagjysh!
Në këtë botë makute, vanitoze, të paepur.
U çel zyrtarisht
gjuetia histerike e dhuratave.
Drerët e tu rendin me neveri,
midis shpirtrave të babëzitur.
Dhe ti, zbathur sfidon
harkun e ngrohjes globale.
A mjafton manteli yt i kuq,
për të ngrohur të gjithë fëmijët e luftës?!
A e di?!
Këmbanat e tua
përngjajnë si rreze shprese
mbi jetët e trazuara.
I dashur Babagjysh!
Paradoksi është ulur këmbëkryq
midis dritëhijeve të Tokës.
Lista e dëshirave të të pangopurve,
këlthet më shumë se ofshamat e skamjes.
Kudo mbizotërojnë urimet virtuale,
mesazhet standarde të ricikluara,
hipokrizia e buzëqeshjeve gjakpirëse.
Kushedi sa të rëndojnë në zemër!
Më shumë se lotët që mbushën,
thesin e madh të dhuratave.
Më shumë se ëndrrat
që shuhen në errësirë…
Më shumë se ylberët që s’lindin pas shiut…
Më shumë se yjet e mbetur pa emër…
Sepse njerëzimi e vrau mëshirën.