Përgatiti Gladiola Jorbus
INDIFERENCA e të afërmve dhe e miqve në momentet e vështira është një prej përvojave më të dhimbshme që mund të përjetojë një individ.
Ajo është një mungesë interesi, shqetësimi ose emocioni ndaj diçkaje ose dikujt. Ndodh kur një person nuk ndjen as dashuri dhe as neveri, duke mbetur i pandjeshëm ose apatik ndaj ngjarjeve, njerëzve ose situatave.
Nevoja për mbështetje dhe solidaritet nga ata që na janë të afërt është e madhe.
Indiferenca e tyre mund të krijojë një ndjenjë të thellë izolimi dhe vetmie. Kjo ndjenjë e izolimit mund të përkeqësojë më tej gjendjen emocionale dhe mendore të dikujt që tashmë është duke u përballur me sfida të mëdha.
Indiferenca mund të minojë besimin dhe ndjenjën e sigurisë në marrëdhëniet me të tjerët.
Kur njerëzit që i ke konsideruar të afërt nuk tregojnë kujdes apo interes për shqetësimet e tua, mund të ndjehesh i tradhtuar dhe i zhgënjyer. Ky dobësim i besimit mund të ketë pasoja afatgjata në mënyrën si ndërvepron me të tjerët në të ardhmen.
Ndikimi emocional i kësaj indiference mund të shkaktojë ndjenja mosvlerësimi dhe trishtim të thellë.
Pesha e indiferencës
Njerëzit shpesh nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është mbështetja e tyre në kohë të vështira. Ata mund të mos e kuptojnë plotësisht ndikimin e veprimeve të tyre ose mungesës së veprimeve.
Mbështetja dhe solidariteti në kohë të vështira janë elementë të rëndësishëm për shërimin dhe përballimin e sfidave. Të ndihesh i mbështetur dhe i kuptuar nga të afërmit dhe miqtë ndihmon në përballimin e vështirësive dhe në rigjetjen e forcës për të vazhduar përpara. Indiferenca mund të çojë në mosmarrëveshje dhe konflikte midis brezave, të cilat ndikojnë negativisht në dinamikën e familjes.
Puna për të kapërcyer indiferencën dhe për të forcuar lidhjet familjare është e rëndësishme si për mirëqenien individuale ashtu edhe për atë familjare.
Duke investuar kohë dhe energji në marrëdhëniet familjare, shumë nga këto pasoja negative mund të shmangen.
Indiferenca emocionale është një fenomen delikat, por shkatërrues që mund të gërryejë ngadalë lidhjet familjare. Ndërsa konfliktet dhe mosmarrëveshjet e hapura mund të jenë të dukshme dhe të adresueshme, indiferenca vepron në heshtje, duke krijuar distanca emocionale që është e vështirë të kapërcehen.
A. Ajnshtajn ka thënë se: ‘’Bota nuk do të shkatërrohet nga ata që bëjnë keq, por nga ata që i shikojnë dhe nuk reagojnë’’. Pra si rrjedhim botën mund ta shkatërrojë veç indiferenca.