Home KRYESORE Nje VIT I RI me sa më shumë kujtime!

Nje VIT I RI me sa më shumë kujtime!

Nga Irena Beqiraj

Nëse disa njerëz kanë më shumë para, disa të tjerë më shumë talelent apo mundësi, të gjithë njërëzit kanë të njëjtën kohë brenda një viti të jetës së tyre.

E ndërsa jam gati në vigjilje të një gjysmë shekulli të jetuar intensivisht, kam kuptuar se perceptimin më të gabuar e kam pasur për kohën.

Shpesh kam menduar se më është dashur më shumë kohë, por ajo që më është dashur vërtet kanë qënë më shumë kujtime!

Sa më shumë kujtime kam krijuar në njësinë e kohës, aq më e gjatë më është dukur koha e jetuar.

Nuk më është dashur asnjë minut më shumë kohë e harxhuar në zemërim, as në trafik, as në takime jashtëzakonisht të mërzitshme, e aq më pak nuk më është dashur koha kur jam ndjerë e lodhur.

Më është dashur më shumë kohë për eksperienca të reja, për momente emocionalisht intensive, kohë për të mësuar, për të udhëtuar, për të njohur njerëz të rinj ose thënë ndryshe, më është dashur më shumë kohë për të krijuar kujtime.

Mbase pak vonë, por pas gati 50 viteve përvojë, kam mësuar ta mendoj veten në tri kohë; në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Shpesh, me gjithë dëshirën për të krijuar kujtime qoftë dhe nga aktivitete të vogla që mund të t’i dhurojnë ato, jam gjendur duke “përgedhelur” përjetimin momental si një fëmijë të llastuar.

E kapluar prej përtesës, apo e bezdisur nga shiu që binte, shpesh e shtyrë edhe nga lodhja, divani i shtëpisë më është dukur më tërheqës sesa një gotë verë me një mike të vjetër, një koncert, apo një udhëtim deri në Vlorë për të pirë një kafe plot humor me nënën time.

Eh sa hërë që i jam dorëzuar “vetes së tanishme” apo përjetimeve momentale, nuk kam menduar se çfarë do të donte “vetja e ardhme” ose me çfarë do të lumturohej “vetja që kujton”.

Duke mos bërë asgjë, me orët e harxhuara në divan, tanimë të humbura të gjitha honeve të harresës, i pamundësova vetes një kujtim të fundit me Vjollcën, Denisën, apo me Yllkën, të gjitha mikesha të dashura që nuk janë më.

Lodhja shpesh më pamundësoi një udhëtim, një shëtitje, apo edhe një vallëzim.

E pra, koha është e majftueshme, por mënyra sesi e jetojmë, e bën atë të pamjaftueshme. Mungesa e kujtimeve në kutinë e kujtesës, nuk i lejon “vetes së ardhme” për të parë prapa, duke e bërë shpesh jo vetëm kohën, por gjithë jetën të duket e pamjaftueshme.

Ndaj me këto radhë, të fundit për këtë vit, uroj që secili nga ne gjatë 2025 t’i kujtojë vetes se ajo që eshtë duke përjetuar nuk duhet konsideruar kurrësesi një monolog i së tashmes, por një shfaqje me tre akte.
Le t’i mbushim kutitë e kujtimeve tona me gjithçka do të dëshironim të gjenim në atë kuti vite më vonë.

Ndaj urimi im është:
Nje VIT I RI me sa më shumë kujtime!

Share: