Home Approccio Italo Albanese Pensionet me Italinë, në pritje të ratifikimit

Pensionet me Italinë, në pritje të ratifikimit

NGA DRITAN TRIMÇEV

Më 6 shkurt 2024, në Romë, Shqipëria dhe Italia nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme për garantimin e të drejtave sociale për punonjësit që kanë kontribuar në të dyja vendet. Megjithatë, pas gati një viti, Italia ende nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Për komunitetin italo-shqiptar, kjo vonesë përbën një plagë të hapur. Ky vonim është një fyerje për mijëra punonjës të komunitetit italoshqiptar. Bëhet fjalë për njerëz që kanë kontribuar ndershmërisht në ekonominë italiane dhe që tani ndihen të braktisur. Ata nuk mund të marrin mbrapsht atë që u takon me të drejtë.

FAKTET FLASIN

Sipas programit të punës së Dhomës së Deputetëve në Itali, diskutimi i projektligjit C.1916 nuk do të bëhet deri në fund të shkurtit 2025. Ky vonim, ndjekur nga proceset e mëtejshme të nevojshme në Senat, Presidencë, Gazetë Zyrtare dhe shkëmbimet e detyrueshme të dokumenteve do të thotë që zbatimi praktik i marrëveshjes është ende shumë larg. Shifra e përfshirë në marrëveshje është modeste: më pak se 140 milionë euro, tashmë të paguara nga punonjësit. Protokollin për Emigracionin, një projekt shumë më kompleks me një vlerë prej 1 miliard euro, e miratuan në vetëm 107 ditë, kjo vonesë është e pajustifikueshme.

Tabela krahasuese e marrëveshjeve mes Italisë dhe Shqipërisë flet qartë.

ARSYET DHE PASOJAT E VONESËS

Shumë punonjës të interesuar aludojnë arsye politike, si zgjedhjet në Shqipëri, që mund të jenë pas vonesës. Nëse kjo është strategji për të ndikuar zgjedhjet, është një bumerang. Shqiptarët nuk janë naivë. Ata shohin faktet dhe do të gjykojnë në bazë të tyre. Disa zëra sugjerojnë se Italia tashmë ka marrë atë që dëshironte me Protokollin për Emigracionin dhe tani nuk e konsideron prioritet marrëveshjen për pensionet. Nëse është kështu, është një shuplakë morale. Rama u tregua serioz dhe e miratoi protokollin që kërkonte Italia në kohë rekord. Tani i takon Melonit të tregojë të njëjtin seriozitet dhe respekt për shtetin shqiptar dhe Kryeministrin Rama.

THIRRJA PËR LIDERSHIP

Komuniteti italo-shqiptar kërkon ndërhyrje urgjente nga të dy liderët. Rama, vepro tani! Kjo marrëveshje nuk ka më kohë për të pritur. Meloni, tregoni që Italia respekton angazhimet dhe të drejtat e qytetarëve italo-shqiptarë e shqiptarë! Kjo është një çështje dinjiteti dhe drejtësie.

RREZIKU I HUMBJES SË BESIMIT

Nëse vonesa zgjatet, rreziku është një prishje e pakthyeshme e besimit ndaj politikës, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Shqipëria ka treguar seriozitet, por punonjësit shqiptarë në Itali ndihen të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Kjo situatë ka pasoja politike dhe morale. E drejta për pension nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese akoma e mohuar. Mesazhi është i qartë: Marrëveshja për pensionet duhet ratifikuar tani. Roli i Ramës mbaron vetëm kur të merret pensioni i parë sipas ligjit 47/2024. Çdo vonesë shtesë është një fyerje për dinjitetin e punonjësve dhe shkelje e të drejtave të tyre. * Zv.president i Shoqatës Diaspora 91-19 ANIAP

/Gazeta Panorama

Share: