Home KRYESORE Gladiator 2, Dondusi, Makrunusi dhe administrata publike. Nga Enriko Ceko

Gladiator 2, Dondusi, Makrunusi dhe administrata publike. Nga Enriko Ceko


Së fundmi është shfaqur në skenat e kinemave në mbarë botën Gladiator 2. Një film që shpalos një botë të mbushur me intrigë, pushtet dhe luftëra të brendshme përpara syve dhe veshëve të atyre që duan të shikojnë, të dëgjojnë dhe të kuptojnë realitetin e ditëve tona, edhe pse bëhet fjalë për qindra e mijëra vite më parë. Një film që nuk është thjesht një realizim për gladiatorët, betejat dhe forcën e tyre, por një pasqyrë e marrëdhënieve komplekse dhe dinamizmit të jetës politike, ekonomike dhe sociale të çdo periudhe.
Gladiator 2 është një metaforë për shtetin dhe pushtetin, dinamikën dhe manaxhimin e shtetit dhe të pushtetit dhe të fuqisë që të jep pushteti dhe në këtë kuadër paraqet në tërësi dy lloje të ndryshme të punonjësve të administratës publike që padyshim kërkojnë një analizë dhe refleksion për mënyrat dhe mjetet që ata përdorin në jetën reale edhe në ditët tona.
Në këtë kuadër, është shumë e thjeshtë që specifikojmë dy karaktere të këtij filmi, Dondusi dhe Makrunusi dhe mbi këtë bazë të klasifikojmë dy grupe të punonjësve të administratës publike sipas këtyre dy karaktereve shumë të spikatura të këtij realizimi, Dondusianët dhe Makrunusianët, që në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy grupe punonjësish të administratës publike që përfaqësojnë dy mënyra qeverisjeje dhe menaxhimi të administratës publike dhe të pushtetit, me anë të të cilëve ne mund të reflektojmë për të kuptuar sfidat dhe mundësitë e administratës publike në botën dhe kohët modern e post-moderne.
Dondusi ishte një majmun, të cilin Perandori e emëroi konsull. Në aspektin e administratës publike ai mund të shihet si simbol i një administrate publike të paaftë dhe të paedukuar, që vepron pa menduar për pasojat e veprimeve të saj. Ky tipar i administratës, i ngurtësuar dhe burokratik, është i ngarkuar me rregulla dhe procedura të tilla që shpesh nuk janë të përshtatshme për realitetin dhe nevojat e qytetarëve. Dondusi, në këtë rast, është si një majmun që përpiqet të menaxhojë një sistem të komplikuar pa pasur aftësitë, njohuritë dhe kompetencat, pra kapacitetin për të kuptuar plotësisht se çfarë ka në dorë dhe çfarë është duke bërë.
Në administratën publike, Dondusi tipikisht përfaqëson ato figura të kësaj administrate që mbajnë pozita të rëndësishme por që janë të paafta të kuptojnë dinamizmin dhe nevojat e shoqërisë, dhe që vazhdojnë të ngulmojnë në zbatimin e politikave të vjetra dhe të papërshtatshme, për shkak të mungesës së vullnetit ose aftësisë për t’u përshtatur me ndryshimet. Administrata e tipit “Dondusian” është e ngarkuar me burokraci dhe nuk është e aftë të reagojë me shpejtësi ndaj nevojave të qytetarëve, duke shkaktuar pasiguri dhe konfuzion.
Në këtë aspekt, Dondusianët nuk janë gjë tjetër veçse ajo pjesë e administrates publike që ka si tipar kryesor burokracinë dhe imitimin e fuqisë, mbushur me dëshirën për kontroll. Jepini një majmuni të zgjedhë çelësin për të hapur derën e qelisë dhe një banane. Ai do zgjedhë bananen. Në këtë këndvështrim dondesianët janë ajo pjesë e administratës publike që mbështetet shumë fort në strukturat burokratike dhe kjo bën që puna të fokusohet kryesisht në ruajtjen e status quo-së dhe në zbatimin e rregullave e procedurave, edhe sikur këto rregulla dhe procedura të jenë të kota, sesa në avancimin e qëllimeve më të gjera të shoqërisë. Ata gjithashtu kërkojë që të përdorin pozitën e tyre për të ruajtur pushtetin dhe ndikimin e tyre, duke u fokusuar më shumë në stabilitetin administrativ dhe në ruajtjen e ekzistencës së strukturave ekzistuese, edhe kur këto struktura mund të dështojnë në përmbushjen e nevojave të qytetarëve. Kjo qasje mund të sjellë në dukje një ndjesi të thellë për rëndësinë e disiplinës dhe të zbatimit të rregullave, por kjo qasjë mund të bëhet një pengesë për zhvillimin dhe përmirësimin e administrates, kur në krye gjenden majmunët (dondesianët).
Pra, kjo pjesë e administratës publike që e kalon jetën në një grumbull të pamatë procedurash dhe formalitetesh angazhohet në ruajtjen e një rendi të caktuar, paralelisht me paaftësinë për të kapur realitetin e nevojave shoqërore dhe për të vepruar me fleksibilitet për të përballuar sfidat moderne.
Edhe Macrinusi u shpall konsull nga ana e Perandorit. Ai ishte një ish skllav, me tipare revanshiste dhe që operon nën pushtetin e fuqive të errëta. Në këtë aspekt, Macrinus përfaqëson një administratë që është e dëshpëruar për të marrë hak, e tërhequr nga dëshira e pushtetit të pamatë dhe të shfrenuar. Ky lloj i administratës është i përqendruar te hakmarrja dhe dëshira për të kontrolluar, ndonjëherë duke e përdorur pushtetin për t’u hakmarrë për ndodhi të kaluarat apo për të rregulluar padrejtësitë e mëparshme (që ndoshta ata mendojnë se u janë bërë), pavarësisht nga kostoja e mundshme për shoqërinë.
Makrinus ishte një ish skllav që kishte vuajtur dhe ndjerë nënshtrimin dhe ndëshkimin, dhe që pasi morri pushtetin kërkoi me ngulm të riparonte atë që ai e shikonte si një padrejtësi të mëparshme. Kjo mëyrë sjellje me fuqinë dhe pushtetin sjell një administratë që përdor autoritetin për të ndjekur interesa të ngushta dhe për të krijuar një hierarki të re ku ata që janë në pushtet mund të hakmerren ndaj atyre që kanë qenë më parë në një pozicion të nënshtruar. Është pikërisht ky tip i administratës publike që është i rrezikshëm për shoqërinë, pasi ata janë të gatshëm që të fokusohen vetëm te hakmarrja dhe gjetja e shpërblimit për vuajtjet e mëparshme, në një kohë që tipa të tillë kur ju vjen rasti për të debutuar dhe kontribuuuar në administratën publike duhet të fokusohen te nevoja dhe synimi për të krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë, por në fakt si revanshistë, këta punonjës të administratës publike krijojnë ndarje të thella sociale dhe përforcojnë edhe më shumë ndarjet që mund të kenë ekzistuar më pare dhe padyshim që kjo lloj qasje çon në rritjen e tensioneve dhe një shpërbërje të mëtejshme të kohezionit shoqëror dhe administrativ.
Kur këta dy lloje tipash të punonjësve të administratës publike (Dondusianët dhe Makrinusianët), bashkohen ose bashkëjetojnë në një sistem të vetëm, krijohet një kaos i vërtetë. Dondusi i ngurtë dhe burokratik dhe Makrinus, i errësuar nga dëshira për hakmarrje, mund të bashkëpunojnë për të krijuar një administratë ku asnjëra palë nuk është në gjendje të kuptojë dhe përmbushë nevojat e qytetarëve. Dondusi do të mbajë procedura të ngadalta dhe të pasakta, ndërsa Makrinus do të përdorë pushtetin për të krijuar shtypje dhe ndarje.
Ky kaos mund të shfaqet si mungesë transparence, korrupsion dhe një administratë që është e paaftë të reagojë ndaj emergjencave ose situatave që kërkojnë vendimmarrje të shpejtë dhe të drejtë. Në vend që të ofrojnë shërbime të drejta dhe efikase, këto administrata krijojnë një ambient të tensionuar dhe të paqartë, ku qytetarët humbasin besimin në shtet dhe në institucionet publike. Në një nivel më të gjerë, kjo mund të çojë në shpërbërjen e rendit shoqëror dhe administrativ, duke nxitur një cikël të vazhdueshëm të kaosit dhe pasigurisë. Figura të tilla të dështuara, që në Gladiator 2 paraqiten me Dondusin dhe Macrinusin, janë shkaktarë të shkatërrimit të administratës dhe qeverisjes, sepse ato i japin përparësi interesave të ngushta, hakmarrjes dhe burokracisë mbi nevojat reale të qytetarëve. Dhe pikërisht, në fund të filmit, perandoria e vjetër bie.
Nga ana tjetër, punonjësit e vërtetë të administratës publike janë ata që përfaqësojnë një model të një administrate fleksibël dhe të fokusuar te individët dhe shpërndarja e pushtetit. Ata janë të angazhuar për të siguruar që administrata të funksionojë për të mirën e qytetarëve, duke u munduar të sjellin ndryshime të nevojshme për përmirësimin e jetës së përditshme dhe për të sjellë një qeverisje që është më e drejtë dhe më e përfshirëse. Këta punonjës të administratës publike përfaqësohen nga një karakter që ka një vizion më të gjerë dhe më të hapur për ndryshimet që duhet të ndodhin. Këta persona janë të gatshëm të shkojnë përtej sistemit të ngurtë dhe burokratik, duke shpërndarë pushtetin dhe duke fuqizuar individët e tjerë për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes. Kjo qasje sjell një administratë më të bashkëpunueshme dhe më të adaptueshme, e cila është e gatshme të bëjë ndryshime të shpejta dhe efikase për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Është pikërisht kjo qasje me anë të së cilës ne mund dhe duhet të ofrojmë një administratë që është më e hapur ndaj ideve të reja dhe inovatore, e gatshme për të shpërndarë përgjegjësitë dhe për të krijuar mundësi për qytetarët që ata të kenë një ndikim më të drejtpërdrejtë në mënyrën sesi menaxhohet shteti dhe pushteti, si dhe fuqia që rrjedh prej tyre. Ky është pikërisht modeli i punonjësit të adimistratës publike që shfaq fleksibilitet dhe që mund të përballojë ndryshimet shoqërore më lehtësisht dhe kjo sepse ky lloj punonjësi i administratës publike është më i fokusuar në nevojat e individëve dhe të shoqërisë dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë.
Në një përballje të përditëshme në vendin e punës midis Dondesianëve dhe Makrunusianëve nga njëra anë dhe punonjësve të vërtetë të administratës publike nga ana tjetër, mund të krijohen tensione dhe sfida të mëdha, sepse të parët mund të shohin çdo përpjekje për ndryshime si një rrezik për stabilitetin dhe rendin që ata dhe eprorët e tyre, ndërsa pjesa e shëndoshë e administratës publike mund ti shohë Dondesianët dhe Makrunusianët si të ngurtë dhe të paaftë për të reaguar ndaj kërkesave të reja të shoqërisë. Në fund të fundit kjo situatë paraqet një gjendje kaosi dhe anarkie që sjell si pasojë luftën për dominimin e parimeve që udhëhoqën administratën dhe për të gjetur mundësinë për të siguruar një qeverisje që është tërheqëse dhe e dobishme për shoqërinë.

Share: