Home Approccio Italo Albanese Parlamenti i Italisë duartroket aktivisten shqiptare Geri Ballo: Kontribut të rëndësishëm për...

Parlamenti i Italisë duartroket aktivisten shqiptare Geri Ballo: Kontribut të rëndësishëm për marrëveshjen e pensioneve Itali – Shqipëri

Marrëveshja e pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë është një hap larg hyrjes në fuqi. Pas miratimit të mërkurën nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Italisë, ratifikimi i plotë i saj pritet të realizohet pas votimit në Senat, me kohëzgjatje të parashikuar rreth gjashtë muaj.

Nga marrëveshja e nënshkruar më 6 shkurt 2024 do të përfitojnë rreth 500,000 shqiptarë nga të dyja anët e Adriatikut, të cilëve do t’u njihet e drejta e pensionit. Kësaj shifre do t’i shtohen mijëra shqiptarë të tjerë që pritet të dalin në pension çdo vit. Përfitues janë gjithashtu italianët që kanë jetuar dhe kontribuar në Shqipëri.

Realizimi i kësaj marrëveshjeje, përtej anës politike, nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e komunitetit shqiptar në Itali, fakt ky që është pohuar edhe nga deputetët e parlamentit italian, si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës.

Ligjvënësit italianë përmendën dhe vlerësuan si mjaft të rëndësishëm kontributin e aktivistes shqiptare, Geri Ballo, e cila prej vitesh është e angazhuar në jetësimin e kësaj marrëveshjeje. Ballo ka ndërmarrë nisma, peticione dhe ka nxitur zyrtarë të lartë të politikës në Romë për hartimin dhe nënshkrimin e këtij dokumenti. Geri Ballo, e pranishme në seancën e së mërkurës, mori duartrokitjet e ligjvënësve italianë.

Federica Onori, deputete e Partisë Popullore të Reformistëve Evropianë, deklaroi gjatë seancës në Kuvend se marrëveshja nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e komunitetit shqiptar në Itali. “Për këtë marrëveshje kanë punuar shumë palë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur komuniteti i shqiptarëve në Itali, që i solli në vëmendje politikës italiane rëndësinë e një marrëveshjeje të tillë,” tha ajo.

Arturo Scotto, deputet i Partisë Demokratike, theksoi se ishte Geri Ballo, aktiviste e komunitetit shqiptar në Itali, që solli në vëmendjen e qeverisë italiane idenë e një projektligji për të rregulluar çështjet e politikave sociale dhe të punës mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Para disa vitesh, me një qeveri tjetër, një peticion i realizuar nga komuniteti shqiptar në Itali, me në krye Geri Ballon, arriti të grumbullojë mijëra firma dhe ia paraqiti ministrit për Çështjet Evropiane të asokohe, Amendola, si dhe Ministrit të Punës, Orlando, për të nxitur një nismë për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje,” tha ai.

Emanuele Loperfido, deputet i partisë Fratelli d’Italia, u shpreh se Geri Ballo, e pranishme në seancën e Kuvendit, ka luajtur një rol thelbësor në ndërtimin e kësaj marrëveshjeje.

“Në momentin kur miratohet një akt unanimisht nga ky parlament, në interes të komunitetit shqiptar në Itali, dhe shoh në sallë një nga kontribueset më të rëndësishme, Geri Ballon, e cila ka dhënë një kontribut të madh në realizimin e kësaj marrëveshjeje, dua ta përgëzoj publikisht,” tha ai.Video Player00:0001:17

Marrëveshja u miratua në Kuvend me dakordësinë e të gjitha palëve, dhe komuniteti shqiptar shpreson që ratifikimi i plotë të realizohet në Senat brenda pranverës.

Geri Ballo, aktiviste e Diasporës shqiptare në Itali, e cila ka sensibilizuar politikëbërësit italianë për çështjen e pensionistëve shqiptarë, tha për “360grade.al” se do të ketë një angazhim të plotë për ta përshpejtuar procesin.

“Ne, si komunitet, do të bëjmë gjithçka që të përshpejtojmë procesin në Senat. Për miratimin në Dhomën e Ulët u deshën rreth gjashtë muaj, dhe dëshira jonë është që në Senat të kalojë më shpejt. Do të bëjmë të pamundurën, duke kontaktuar përfaqësues të Komisionit të Jashtëm dhe të gjithë ata që do të merren me këtë çështje,” tha ajo.

“Nga kjo marrëveshje përfitojnë shumë persona. Mijëra shqiptarë që dalin çdo vit në pension do të përfitojnë vlerën totale të kontributeve të tyre, duke bashkuar periudhat e sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe Itali,” theksoi ajo.

“Sot, shumë shqiptarë, ndonëse kanë vite kontribute në Itali, nuk arrijnë të përfitojnë pension, pasi kërkohen minimalisht 20 vite punë. Me bashkimin e kontributeve nga të dy vendet, ata do të arrijnë të plotësojnë kushtet. Dy institutet e sigurimeve shoqërore, ISSH dhe INPS, që nga nënshkrimi i marrëveshjes janë angazhuar për të zbardhur historikun e kontributeve të shqiptarëve dhe italianëve që kanë punuar në të dy vendet,” përfundoi Geri Ballo.

360grade.al

Share: