Nga Irena Dragoti
Flitet për lirinë e mendimit, por njerëzit po mendojnë gjithnjë e më pak. Flitet për lirinë e fjalës por njerëzimi e ka “ shantazhuar” atë me koston e humbjeve.
Aludohet se gjithçka e sfidon dija, që do të thotë pushtet e siguri, por “Dija” sipas Perronit vjen në raport të drejtë me frikën! Këtu lind kontrakdita sepse frika nuk ka të bëjë as me logjikën e as me llogaritjet. Edhe lumturia e madhe edhe inteligjenca superiore shkaktojnë ndjesi frike,:-thotë Thomas Hood.
Frika e pëlqen idenë e rrezikut e shpesh për të shpëtuar prej saj lind guximin e guximtarët. Kjo na ndodh edhe në jetën reale me filmat horror që shohim. Kam përjetuar frikën deri ne ankth kur kam parë filmin e parë për mua, horror” Sinister” film i vitit 2012 me protagonist Ethan Hawke, i cili luan rolin e një
shkrimtari që zbulon në papafingon e tij disa filma që flasin për vrasje makabre, zbulim ky që
e vendosi në rrezik familjen e tij.
Dhe pse ky film ti çon rrahjet e zemrës në 32% më tepër se e zakonshmja, unë sërish kam guxuar ta rishoh një herë, dy a tri duke triumfuar guximin.
Po ç’ është Frika në mendimin tim, në përvojën time të jetës.
Një Doruntinë në krahët e vdekjes që rend drejt premtimit, mbështjellë nga errësira dhe enigmat.? Një refleks që fillon nga të Menduarit?
Një tjetër mundësi jetese duke prerë biletën e kontrollit të jetës? Apo imponimi brenda nesh, kushtëzues në përzgjedhje pa të çliruar natyrshëm nga gjërat që të bëjnë keq e duke të larguar gjithnjë e më shumë nga vetja. Frika shpërdoron kohën ,kufizon ëndrrat, bën të gabosh më tepër sepse nuk je në gjendje të shohësh limitet. Në fillimet e mia në Amerikë kur unë nuk e dija gjuhën komunikimi me të huaj ishte frikë, ankth, stres.
Pra padija është frikë. Por edhe sot që unë njoh anglishten sërish kam frikë në komunikim masën e fjalës, mos vallë ajo lëndon njerëz mentalitetin e të cilëve e njoh pak.. Pra nuk di më kur ke të drejtë e kur jo. Frika e bëhet barrierë që i ngrihet së ardhmes, pa bërë të prekshëm momentin. Nuk të lejon të plotësohesh e përmbushesh kurrë.
Të bën të mjerë e të sëmurë dhe vetëm dialogu me të ,pa bërë aleanca por beteja, të bën të kuptosh se po jeton.
Frika bashkëjeton brenda nesh së bashku me tendencën për ta larguar atë. Është një lloj lufte mes “të fortësh”. Frika ka udhëtuar me njeriun që nga krijimi i tij. Disa frikëra bien e disa krijohen me kalimin e viteve pa na lënë kurrë vetëm.
Frika është njëherazi mungesë njohjeje ose njohuri me tepri dhe një paralajmërim për tmos jetuar kundër të vërtetave tua.
Është konkrete kur ka të bëjë me gjallesa si njeriu ,flora e fauna, e dukurive natyrore dhe abstrakte kur vjen nga vetja, humbja, deshtimi, gjumi, zgjimi, dashuria, mëmësia ,pleqëria, vdekja etj etj. Të gjithë jemi kush më shumë e kush më pak pre e një lloj frike. Rrënjët e saj janë të vendosura thellësisht në binomin fizik+ emocion. Është ndjesi intime që rrallë ia besojmë njerëzve të afërt po aq sa ndjesi turpi që na frenon ta kurojmë si sëmundje. Luftojmë e sfilitemi me to, të vetëm jo pak raste e pavarësisht në humbim a fitojmë, i kemi ato sfidë të përhershme jete.
E quajmë qesharake ndihmën që mund të na ofrohet për ta larguar, pa menduar dëmet e pariparueshme që sjell në cilësinë e jetës sonë. Nëse një frikë fizike psh si ajo nga deti,zvarraniket,zjarri mund edhe ta shmangim , atë abstrakten brenda mendjes sonë duhet ta largojmë, ta mjekojmë, ta mundim. Shpesh paranoja na bën të mendojmë se ajo që do zbulojmë pas frikës mund të jetë akoma më e keqe se ajo çka jetojmë për momentin.
Ne kemi frikë të humbim frikën, duke e parë herë- herë si fortesë mbrojtëse, ne kemi frikë të humbim njerëz, po aq sa kemi frikë të pranojmë se humbëm , qoftë kjo për frymorë apo qëllime në jetë. Këtu fillon regresi ynë.
Manipulatorët,narcistët apo egoistët kanë përdorur gjithmonë frikën për të intimiduar, çka duan të mbajnë nën pushtet . Frika është një nga shkaqet kryesore që zbeh logjikën e njeriut, ndryshon sjelljen, sepse sheh verbër pothuaj. Kemi frikë diçka që nuk e kemi parë apo provuar kurrë e në këtë rast frika është rezult trashëgimie e transmentimi pra iracionale. Dmth brezi ynë është rritur mes frikërave në një shoqëri diktatoriale e për inerci i bartim ato për vite tëra me vehte pa luftuar burimin.
Shpesh frika nga abstrakte shndërrohet në konkrete, psh frika nga humbja sjell frikën ndaj njeriut real që duam ta mbajmë me çdo cmim, duke iu bindur këtij të fundit, duke iu përshtatur interesave të tij, pa e kuptuar që jemi manipuluar e përdorur. Në çastin që luhet me emocionet tona, frika kthehet ne dhunë e njeriu fillon noton në regres e mungesa e kontrollit e kthen frikën në armë vrasëse e vetvrasëse për jetën.
Frikërat më të rrezikshme janë abstraktet. Janë terren i minuar për të ardhmen ku sejcila është një mundësi e shpejtë vdekjeje shpirtërore. Një nga këto është ajo nga vetja, nga ndryshimi që vjen nga njohja e thellë e saj. Në çastin që ti nuk ke frikë të humbësh, ti ke integritet të padiskutueshëm e askush nuk do të godasë ty me frikën tënde..
Kur duam një jetë cilësore duhet të pranojmë së pari frikërat tona të cdo lloji . Shpesh frikërat tona ecin një hap para nesh e kjo të krijon idene e stimulit në jetë por kurrë asnjë frikë nuk do të çojë më larg sesa frenimi e dëshpërimi emocional . Për ekuilibër e paqe me veten nuk bëhet fjalë.
Të eliminosh frikën do të thotë të jesh gjithnjë në kohën e në vendin e duhur, do të thotë t’i shpëtosh vetndërshkimit..