Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës Presidentja Vjosa Osmani Sadriu nderon Gerti Bogdanin me “Urdhërin Dr. Ibrahim Rugova” për kontributet e spikatura në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si edhe avancimin e paqes dhe demokracisë në Kosovë dhe rajon.
Kjo është dekorata më e lartë që akordon shteti i Kosovës. Presidentja Osmani i paraqiti dekoratën familjes Bogdani, ku ishin të pranishëm ndër të tjerë të dy brezat – prindërit që rritën dhe mëkuan Gerti Bogdanin dhe fëmijët e tij, pinjollët më të rinj Ajra & Reinart Bogdani.
Bashkëshortja e ish-deputetit, Edlira Çepani tha se Bogdani kontribuoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës “që në nisjen e karrierës së tij dhe deri në fund”.
“Jam e sigurt se atje lart, atje nga ku po na sheh, Gerti vazhdon me krenari të thotë që jemi një”, tha ndër tjerash ajo, pasi me familjen e saj pranoi urdhrin.
