Home KRYESORE AJO… Nga Elvira Zeneli

AJO… Nga Elvira Zeneli

Në dhomën e ngrohtë e të qelqtë
Ajo shijonte dritën e zjarrit në oxhak
E veshur tejdukshëm holl e bukur
Përderisa pikat e shiut trokasin në xham.
Këmisha e mëndafshtë sikur frymën ia zë
E malli e djeg teksa mendimet ikin larg në histori,
Ashtu symbyllas kujton dorën e tij,
Se sa me afsh i bënte përkëdheli,
Në çast gotën e verës pranë buzëve afron
Një gllënjkë verë e piu dhe iu duk si vizion,
Fytyra e tij iu shfaq jashtë si imazh
U drodh e tëra dhe gota nga duart i ra.
Dukej i venitur, i tretur, pa forcë jashtë në shi si për hata.
Sa mallshëm donte të ishte pranë tij
Aty në pikat e ftohta të të bukurit shi.
Filloi të dridhej, e zuri një zagushi,
Përderisa fustani i mëndafshtë në trup i rrinte për mrekulli.
Ah, tani sa do ta donte të paktën një përqafim,
Të takoshin bashkë imazhi me të bukurin kujtim…