Nga Edmond Petraj
Kur kujtoj fëmijërinë time, kujtoj fytyrën e saj – të urtë, të ndritur dhe të mbushur me dashuri. Ajo ishte Konstandina, nëna e nënës sime, por për mua ishte më shumë se një gjyshe. Ishte maja ime, themeli im, njeriu që më rriti dhe më edukoi me brumin e etnisë sime vllahe.
E kujtoj qartë atë figurë madhështore, që mbante një kryq të vogël në ballë – simbol i besimit, i sakrificës dhe i qëndresës. Nuk e di nëse ishte vetëm një shenjë e kohës apo një dhuratë nga Zoti, por për mua ai kryq përfaqësonte forcën e saj shpirtërore, qëndresën ndaj jetës dhe besimin e palëkundur që ajo kishte tek familja dhe tek vlerat që na përcillte çdo ditë.
Një grua me shpirt të madh dhe zemër të butë
Gjyshja ime nuk fliste shumë për vështirësitë e jetës, por i lexova në duart e saj të lodhura nga puna, në vështrimin e saj të thellë dhe të mençur. Ajo nuk ankohej kurrë – përkundrazi, e përballonte gjithçka me një qetësi të rrallë, me një buzëqeshje që të bënte të ndiheshe i mbrojtur.
Më mësoi që të jem krenar për rrënjët e mia, për gjuhën time, për mënyrën tonë të jetesës. Nga ajo mësova se të jesh vllah nuk është thjesht të kesh një përkatësi etnike, por të mbash një trashëgimi të pasur me punë, dinjitet dhe nder.
Në prehrin e saj dëgjova për jetën e vllehëve të dikurshëm, për sfidat e tyre, për zakonet që duhej t’i ruanim me fanatizëm. Ajo fliste me krenari për njerëzit tanë, për mënyrën si i qëndronim besnikë punës dhe familjes, për traditat që na bënin të dallonim nga të tjerët.
Fjalët e para dhe kujtimet e fëmijërisë
Gjyshja ishte ajo që më mësoi fjalët e para në gjuhën tonë vllahe. Mbaj mend si përsërisja pas saj:
“Ai kule” (Ajde këtu?)
“Voi pană” (Do buk?)
“Voi up” (Do ujë?)
“Tsi fats” (Çfarë bën?)
“Ghini” (Mirë)
Fjalët e saj më ngrohën shpirtin në atë kohë dhe ende i dëgjoj në mendjen time. Ishte ajo që më dha gjuhën time të parë, atë që më lidh me të parët e mi dhe me vetveten. Ajo më mësoi jo vetëm të flas, por edhe të ndiej dashurinë e madhe për atë që jam dhe nga vij.
Një dashuri që buk do të shuhet kurrë
Gjyshi im vdiq kur unë isha ende i vogël. E mbaj mend shumë pak, si një hije të butë në kujtimet e mia të fëmijërisë. Nuk pata fatin ta njihja më gjatë, por ndiej mungesën e tij edhe sot. E vetmja që më mbushi boshllëkun e tij ishte gjyshja ime. Ajo më dha gjithçka: dashuri, mençuri, kujdes dhe një ndjenjë sigurie që nuk e gjeta askund tjetër.
E kam dashur shumë, shumë! Më rriti me duart e saj, me zërin e saj, me urtësinë e saj. Ishte gjithçka për mua dhe ende sot, kur mendoj për të, ndiej të njëjtën dashuri të madhe.
Ajo jeton brenda meje
Sot, edhe pse ajo nuk është më fizikisht pranë meje, e ndiej çdo ditë praninë e saj. Në momentet e vështira, mjafton ta kujtoj dhe ndiej forcën e saj brenda meje. Kryqi në ballë ishte shenjë e besimit të saj, por për mua ai është edhe sot një dritë që më udhëzon.
Ajo nuk është thjesht një kujtim, por një pjesë e shpirtit tim. Dashuria ime për të nuk u pakësua kurrë, përkundrazi, ajo u bë më e madhe me kohën. Më mungon, por e di që ajo është me mua – në çdo vendim që marr, në çdo vepër të mirë që bëj, në çdo fjalë të urtë që kujtoj prej saj.
Sepse ata që na edukuan me shpirtin e tyre, nuk ikin kurrë – ata jetojnë përjetësisht brenda nesh.
Nga Avokat Edmond Petraj